Vuçiq i inkurajon serbët në veri: “Nuk ka dhe nuk do të ketë dorëzim”

Beograd, 11 dhjetor 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se serbët në pjesën veriore të Kosovës “ishin të detyruar” të vendosnin barrikada në rrugë. Ai i ka inkurajuar serbët të mos “dorëzohen”.

“Nuk ka dorëzim dhe nuk do të ketë dorëzim”, ka theksuar ai në Instagram, të dielën, më 11 dhjetor.

Ai ka theksuar gjithashtu se Serbia, siç është shprehur, “do të vazhdojë luftën për paqe me të gjitha mjetet ligjore”.

Vuçiq, ndër të tjera, ka kërkuar të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Mesazhi për të gjithë të tjerët është që të formohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe], të respektohen të drejtat dhe liritë e serbëve dhe të sillen në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara dhe të drejtën ndërkombëtare, sepse kjo është mënyra e vetme për të filluar normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar ai.

Të shtunën, Vuçiq ka thënë se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që të sigurojnë dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës, “në përputhje me Rezolutën 1244”  të Kombeve të Bashkuara.

Në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës serbët kanë ngritur barrikada, pas arrestimit të ish-pjesëtari të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se e ka organizuar “sulmin terrorist në zyrat e KQZ-së në veri të vendit”, më 6 dhjetor.

(r.m.)