Vuçiq i krahason sulmet ndaj Iranit me sulmet e NATO-s ndaj Serbisë

Beograd, 28 shkurt 2026 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka krahasuar ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Iran me ndërhyrjen e NATO-s ndaj Serbisë të vitit 1999.

“E gjithë kjo po realizohet ashtu siç ndodhi në Serbi. Gënjyen gjatë gjithë kohës se bëhej fjalë për katastrofë humanitare, ndërsa në thelb ishin dy gjëra. E para, ndryshimi i regjimit në Beograd dhe, e dyta – thelbi i gjithë veprimit të NATO-s, sigurimi i pavarësisë së Kosovës. Pra, kjo është një përpjekje për të marrë pushtetin e plotë në Iran dhe për ta orientuar Iranin, siç do të thoshin ata, drejt vlerave perëndimore”, ka thënë Vuçiq në televizionin proqeveritar “Informer”.

Vuçiq ka thënë se sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në Iran do të kenë  “pasoja të gjera në skenën politike botërore” dhe ka theksuar se Serbia “duhet ta ruajë lirinë dhe pavarësinë e saj dhe t’i forcojë kapacitetet mbrojtëse njëkohësisht”.

Vuçiq ka paralajmëruar pajisjen e Serbisë me sisteme të reja të mbrojtjes ajrore.

“Do ta ruaj paqen, por kjo varet edhe nga ajo se sa i fortë je. Ne do të sigurojmë sisteme jashtëzakonisht të fuqishme. Po e shqyrtojmë seriozisht këtë. Kemi mbrojtje shumë-shtresore”, ka thënë Vuçiq.

(r.m.)

Comment

*