Vuçiq: Ka një valë të re njohjesh të Kosovës, por Kosova është Serbi

Beograd, 25 dhjetor 2025 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë në Konferencën e Ambasadorëve në Beograd, të mërkurën, se një valë e re njohjesh të pavarësisë së Kosovës ka nisur në botë, me ndikimin e faktorëve rajonalë dhe botërorë.

Ai ka thënë se çfarëdo që u është thënë ambasadorëve serbë në vendet që e kanë njohur Kosovën, Kosova është pjesë e Serbisë.

“Kosova dhe Metohia është pjesë e Serbisë. Kështu ka qenë, kështu do të jetë”, ka theksuar ai.

“As ju ​​dhe as ata [autoritetet e vendeve që e kanë njohur Kosovën] nuk do ta ndryshoni këtë, prandaj ju lutem mos diskutoni për këtë. Përndryshe nuk e keni përfaqësuar politikën tonë”, ka shtuar ai.

Vuçiq ka thënë se Serbia duhet të vazhdojë të punojë kundër njohjes së Kosovës. Në këtë kontekst, ai ka deklaruar se Serbia i ka në kasafortën e saj “disa gjëra” që nuk i ka zbuluar ende, duke shtuar se “është çështje kohe” kur do t’i publikojë ato.

“Disa gjëra i kemi në kasafortën tonë. Është çështje kohe se kur do t’i tregojmë dhe do t’i bëjmë publike. Deri tani kemi qenë të kujdesshëm që të mos i zbulojmë, në mënyrë që të mos i lëndojmë të mëdhenjtë, sepse ata kanë mundësi të ushtrojnë presion mbi ta. Nuk ka më arsye për këtë. Jemi mbështetur për muri dhe do të luftojmë për tonën”, ka thënë ai.

Vuçiq ka thënë se aleanca ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë përbën kërcënim për Serbinë.

“Ndërsa pretendohet se asgjë nuk ka ndodhur, kemi papritur afrime midis Tiranës, Prishtinës dhe Zagrebit”, ka thënë ai.

Sipas tij, në afërsi të Serbisë po grumbullohen trupa që përbëjnë kërcënim për Serbinë, por Serbia, siç është shprehur, “duhet të reagojë me qetësi dhe durim”.

Ai ka theksuar se ruajtja e paqes do të jetë objektivi kryesor në Serbi në periudhën në vijim.

“Kjo është arsyeja përse është e rëndësishme që kudo të përpiqemi t’i zgjidhim problemet përmes dialogut”, ka thënë Vuçiq.

(r.m.)