Vuçiq: Kam frikë nga bashkëpunimi ushtarak mes Kosovës e Kroacisë

Beograd, 12 mars 2026 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur se ka një shkallë shqetësimi lidhur me marrëveshjen e bashkëpunimit në mbrojtje mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

“Nga askund shfaqet bashkëpunimi ushtarak, aleanca ushtarake mes Prishtinës dhe Zagrebit. Kur krijoni një aleancë ushtarake me një entitet dhe nuk keni shpjegim përse e keni bërë këtë, kurse ne e kemi të qartë pse, natyrisht që ekziston një dozë shqetësimi”, ka thënë Vuçiq, në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, të enjten.

“Unë jam president i një vendi të vogël me numër të banorëve dhe me territor. Nuk jam Donald Trump, Vladimir Putin, nga presidentë të mëdhenj që i zgjidhin të gjitha me lehtësi. Për mua nuk ka gjëra të lehta dhe natyrisht që kam frikë”, ka thënë ai.

Megjithatë, ai ka thënë se Serbia po përgatitet të kundërpërgjigjet ndaj një sulmi eventual nga aleanca mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, të cilën e quan “entitet”.

“Serbia ka forcë të mjaftueshme t’u kundërpërgjigjet të dy shteteve dhe entitetit. Serbia është mjaftueshëm e fortë të mbrojë integritetin territorial të saj”, është shprehur ai.

Vuçiq ka thënë se kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në një takim që kanë pasur në Indi, i ka thënë se bashkëpunimi mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk është i drejtuar kundër Serbisë, por ai prapë ka “një dozë shqetësimi dhe frike“.

“Plenkoviq më tha se kjo nuk është e drejtuar kundër Serbisë dhe se ne i japim tepër rënësi kësaj. E dëgjova dhe kaq. Por, a kam edhe më tutje një dozë shqetësimi dhe frike? E kam”, është shprehur ai.

Duke folur për balancën ushtarake në rajon, Vuçiq ka thënë se Serbia nuk e nënvlerëson forcën e të tjerëve, por as ushtrinë e saj.

“Qe një vit dëgjoni historinë se Serbia ka blerë ‘Rafale’ të përdorur, kurse ata [kanë blerë] të rinj, se do të marrin raketa ‘Meteor’ dhe se janë gjithnjë e më të fortë se ne. Ne heshtim. Unë them – po, sepse jeni të fortë, prandaj edhe kam atë dozë frike kur formoni aleanca ushtarake”, ka shtuar Vuçiq.

Megjithatë, ka thënë se Sebia posedon kapacitete ushtarake që nuk janë paraqitur ende publikisht.

“Nuk do ta nënvlerësoja forcën e Ushtrisë së Serbisë, e aq më pak të tyre. U habitën kur panë se ne i kemi ato raketa. Kemi edhe gjëra që nuk i tregojmë”, ka thënë Vuçiq.

“Kemi shumëçka që nuk keni parë dhe do të vazhdojmë të blejmë”, ka theksuar ai.

Vuçiq ka thënë se Serbia posedon raketa të fuqishmë ajër – tokë me rreze të gjatë veprimi e me forcë të madhe shkatërruese.

“Janë të rënda 950 kilogramë dhe kanë rreze veprimi deri 400 kilometara“, ka thënë ai.

Sipas tij, Serbia posedon tashmë një numër të konsiderueshëm të raketave të tilla dhe ka planifikuar të sigurojë edhe të tjera në periudhën e ardhshme.

Ai ka thënë se parashikimet e tij janë “shumë më të këqija se më të këqijat”.

“Të gjithë njerëzit mendojnë se në botë ka një fije arsyeje që do të thotë ‘jo, kjo nuk duhet të ndodhë, nuk mund të ndodhë’. Nuk ekziston!”, ka thënë Vuçiq.

Aleksandar Vuçiq ka thënë se Serbia ka marrëdhënie “korrekte” me NATO-n, por ka theksuar se Serbia nuk do të bëhet anëtare e NATO-s.

“Ne kemi marrëdhënie korrekte dhe të mira me NATO-n dhe do të vazhdojmë t’i ndërtojmë ato, megjithëse nuk do të anëtarësohemi në NATO”, ka thënë ai.

Duke folur për marrëdhëniet e Serbisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai ka thënë se ai është i kënaqur me marrëdhëniet aktuale dhe ka shprehur besdimin se ato do të jenë edhe më të mira në të ardhmen.

“Jam i kënaqur me marrëdhëniet me Amerikën dhe besoj se ato do të jenë edhe më të mira gjë që do të mund të shihet në periudhëm e ardhshme”, është shprehur ai.

Por, ka theksuar se Serbia do të vazhdojë të mbajë marrëdhënie të mira edhe me Rusinë dhe Kinën.

“Pavarësisht rrethanave, edhe më tutje do të bëjmë politikë neutral. Do t’I ruajmë marrëdhëniet e mira me Rusinë dhe Kinën dhe do t’I avancojmë dukshëm marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është shprehur ai.

(r.m.)