Beograd, 2 korrik 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka akuzuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se synon dëbimin e serbëve nga Kosova. Ai ka thënë se pret që Kurti të nisë një “ofensivë shtesë” kundër serbëve, paralelisht me kundërofensivën e forcave ukrainase ndaj forcave ruse në Ukrainë.
“Unë pres një ofensivë të madhe në Ukrainë. Unë mendoj se ata i kanë përgatitur dhjetëra brigade dhe do të thyejnë seriozisht vijat ruse dhe, natyrisht, të ketë shumë viktima. Pritet të ndryshojë rrjedha e luftës. Unë pres që kjo të fillojë, e pastaj do ta shihni një ofensivë shtesë të Kurtit. Prandaj po kërkoj nga serbët të merren në mbrojtje. Kam frikë se ky terror do të bëhet edhe më i keq e më i egër”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për “TV Prva”.
“Kurti jeton për t’i dëbuar serbët nga vatrat e tyre”, ka theksuar Vuçiq.
“Ai dëshiron t’i bashkojë gjitha vendet shqiptare”, ka shtuar ai.
Vuçiq ka thënë se Serbia do të reagojë për të mbrojtur serbët nga “persekutimi” i Kurtit.
“Kam frikë nga lëvizjet krejtësisht iracionale të Albin Kurtit. Do të bëj çmos që kjo të mos ndodhë, por jo me çmimin e persekutimit të popullit serb”, është shprehur ai.
Presidenti serb e ka akuzuar faktorin ndërkombëtar se nuk ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që t’i shpallë organizata terroriste dy struktura serbe të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”. Ai ka thënë se Serbia “do të sanksionohej menjëherë”, po t’i shpallte organizata terroriste Njësinë Seciale të Policisë së Kosovës (ROSU) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Vuçiq i ka quajtur “terroriste” ROSU-n dhe FSK-në dhe për eksistencën e tyre e ka akuzuar faktorin ndërkombëtar, sidomos “gjermanët dhe amerikanët”.
“Nëse do t’i shpallnim terroriste ROSU-n dhe FSK-në, do të kishte sanksione të menjëhershme ndaj Serbisë. E ato janë terroriste. Me çfarë akti kanë të drejtë të ekzistojnë ato? Me çfarë akti po i armatosni? ‘Sipas të drejtës sonë’! Kështu më thonë gjermanët dhe amerikanët. Kjo është e drejta e më të fortit. Çfarë të më thonë, kur nuk shkruan askund, as në tabelë. Aty ku shkruhet për aktet ndërkombëtare. Nuk shkruan askund, por po mund ta bëjnë atë”, ka thënë ai.
Vuçiq është pyetur edhe për nismën “Ballkani i Hapur”. Ai ka lënë të kuptohet se nuk ka qenë në dijeni se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do ta konfirmonte dështimin e kësaj nisme. Ai ka thënë se “shpreson” se së shpejti do të takohet me Ramën.
(r.m.)