Vuçiq kërkon formimin e një ekipi lobues kundër pranimit të Kosovës në KE

Beograd, 4 prill 2024 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia përballet me sfida të vështira, duke veçuar dialogun me Kosovën dhe rekomandimin për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE).

Vuqiç ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë ta formojë një ekip dhe t’ua dërgojë të gjithëve një dokument joformal, në të cilin do të paraqitet qëndrimi i Serbisë për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Presidenti serb ka kërkuar që kabineti qeveritar të përdorë të gjitha mujndësitë e ndikimit për të ndryshuar qasjen e vendeve anëtare ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai ka thënë se kundërshtimi i pranimit të Kosovës në këtë organizatë duhet të bëhet në bazë të argumentit se, siç është shprehur, “Prishtina nuk e ka themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe jo se “Kosova nuk është shtet”. Megjithatë, ai ka pranuar se shansat e Serbisë për të ndryshuar qëndrimin e shumicës së vendeve ënatere “minimale”.

Vuçiq ka kërkuar që anëtarët e kabinetit qeveritar të bëjnë më shumë në politikën e jashtme.

“Ne kemi detyra të vështira dhe të rëndësishme, prandaj kërkoj nga të gjithë anëtarët e Qeverisë, pavarësisht se çfarë funksionesh do të kryejnë pas formimit të qeverisë së re, që të punojnë me përkushtim në kryerjen e këtyre detyrave”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka thënë se janë “disa gjëra të rëndësishme” për të cilat duhet të pajtohen, pa marrë parasysh se brenda një kohe të shkurtër do të formohet Qeveria e re e Serbisë.

Javën e kaluar, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhet se Kosova i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e kësaj organizate. Asambleja Parlamentare pritet të votojë për këtë rekomandim në muajin prill. Nëse rekomandimi miratohet nga Asambleja, fjalën përfundimtare do ta japë Këshilli i Ministrave i Këshillit të Evropës, në muajin maj.

(r.m.)