Beograd, 23 dhjetor 2025 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfitrmoi se gjiganti rus i energjisë “Gazprom” është në bisedime me kompaninë hungareze, MOL, për shitjen e mundshme të aksioneve të tij shumicë në NIS, rafinerinë e vetme të naftës në Serbi, tha të martën.
“Ne kemi informacione se përfaqësuesit e ‘Gazpromit’ po bisedojnë, mes tjerësh, me kompaninë hungareze MOL, dhe ne nuk kemi asgjë kundër kësaj. Hungarezët janë miqtë tanë”, u tha Vuçiq gazetarëve të martën.
“Ne duhet ta përfundojmë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, deri më 15 janar”, shtoi ai.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione të gjera ndaj Rusisë pas agresionit ndaj Ukrainës. Sanksionet e kanë goditur edhe sektorin rus të naftës, përfshirë kompaninë NIS në Serbi, aksionar i së cilës është edhe kompania ruse “Gazprom”, por zbatimi i sanksioneve ndaj NIS u shty disa herë përpara se ato hynë përfundimisht në fuqi më 8 tetor. Për shkak të sanksioneve, bankat e kanë ndalur përpunimin e pagesave të NIS-it, ndërsa tubacioni kroat i naftës, JANAF, e ka ndërprerë furnizimin e rafinerisë së NIS me naftë bruto.
“Gazprom” zotëron 11.3 për qind të aksioneve në NIS, ndërsa dega e tij e sanksionuar “Gazprom Neft” i ka 44.9 për qind t të aksioneve. Qeveria e Serbisë i zotëron 29.9 për qind të aksioneve, ndërsa pjesa e mbetur u përket aksionarëve të vegjël dhe punëtorëve të kompanisë serbe.
Vuçiq paralajmëroi të martën se marrëveshja me Rusinë për furnizimin e Serbisë me gaz do të zgjatet edhe për tre muaj të tjerë.
Serbia është një nga shtetet e pakta të Evropës që blen gaz natyror nga Rusia. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që edhe Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë, por Beogradi vazhdon të shmangë vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës, për shkak të marrëdhënieve të ngushta midis dy vendeve.
Vuçiqi e ka dënuar agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, por ka kundërshtuar vendosjen e sanksioneve. Ai ka përsëritur shumë herë se Rusia është partner stratergjik i Serbisë.
(r.m.)