Beograd, 2 gusht 2025 – Presidenti i Serbisë, Alekasandar Vuçiq, ka thënë se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, që u mbajt të shtunën, është diskutuar edhe për situatën në Kosovë, veçanërisht në lidhje me përgatitjet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Vuçiq ka thënë se Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, do të përpiqet ta diskreditojë Listën Serbe, me qëllim që, siç është shprehur, “t’i imponojë përfaqësuesit e tij shqiptarë” në pushtetin lokal. Ai ka thënë se për këtë do të bisedojë me përfaqësuesit ndërkombëtarë.
“Kurti do të përpiqet sërish ta diskreditojë Listën Serbe dhe t’i imponojë përfaqësuesit e tij shqiptarë, të cilët nuk mund t’i marrin as dy apo tre për qind të votave. Megjithatë, edhe me ata, bashkësia ndërkombëtare deri tani ia ka mundësuar të qeverisë me komunat me shumicë serbe në Kosovë. Ne do t’i vazhdojmë aktivitetet tona dhe nesër do t’i njoftoj për këtë disa nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të botës dhe Evropës, me të cilët do të bisedoj në telefon,” ka deklaruar Vuçiq.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila kontrollohet nga Beogradi zyrtar.
Vuçiq ka thënë se Serbinë e pret “një luftë e vështirë për mbijetesën e popullit serb në Kosovë e Metohi”, ndonëse, siç është shprehur, “situata është më shqetësuese në Bosnjë e Hercegovinë”.
“Më së shumti më frikëson ajo që po ndodh në Bosnjë e Hercegovinë, sepse disa mendojnë se mund të marrin çfarëdo vendimi, se kjo është normale dhe se të gjithë të tjerët duhet vetëm të shikojnë në qiell, të heshtin dhe të mos guxojnë të thonë asnjë fjalë kundër,” ka deklaruar Vuçiq.
(r.m.)