Beograd, 2 gusht 2025 – Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Serbi do të mblidhet të shtunën në mesditë. Kjo mbledhje mbahet një ditë pas arrestimit të 11 personave, përfshirë një ish-ministër, në cilësinë e të dyshuarve lidhur me rastin e rrëzimit të strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku kishin mbetur të vdekur 16 persona.
Të premten, pas arrestimeve të reja lidhur me këtë rast, Vuçiq deklartoi se Serbia “nuk ka qenë me vite në pozitë kaq të vështirë”.
“Kemi kaluar nëpër shumë kriza, vërshime, kriza me migrantë, koronavirusi, lufta në Ukrainë… Shumë gjëra janë ashpërsuar, shumë provokime janë kryer ndaj nesh në Kosovë, sulmet në Srebrenicë e gjithçka tjetër, por Serbia nuk ka qenë në pozitë kaq të vështirë prej vitit 2008 e këndej”, tha ai.
Të premten paradite, Zyra e Prokurorit për Krim të Organizuar njoftoi për arrestimin e gjashtë të dyshuarve për përfshirje në krime të lidhura me projektin për modernizim të stacionit të trenit në Novi Sad, në mesin e të cilëve është edhe ish-ministri Tomisllav Momiroviq. Por, pasdite njoftoi për arrestimin edhe të pesë personave të tjerë.
Sipas prokurorisë, të arrestuarit dyshohen se e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej 115 milionë dollarësh, përmes veprimeve të tyre korruptive.
Gjithashtu, ka dyshime se konsorciumi i kompanive kineze CRIC&CCCC, që është duke e ndërtuar një hekurudhë për trena të shpejtë, ka përfituar rreth 18.7 milionë dollarë. Kontrata me konsorciumin kinez është nënshkruar në bazë të një marrëveshjeje ndërqeveritare mes Serbisë dhe Kinës, pa shpallur thirrje publike për tenderë.
Streha në stacionin hekurudhor të Novi Sadit ishte rrëzuar në nëntor të vitit të kaluar. Kjo ngjarje e aktualizoi në Serbi çështjen e korrupsionit. Qysh atëherë, në Novi Sad, Beograd e në qytetet tjera të Serbisë zhvillohen protesta masive kundër Qeverisë në Serbi. Gjatë protestave kërkohet përgjegjësi politike dhe penale të autoriteteve shtetërore të lidhur me korrupsionin.
Në shenjestër të akuzave publike është Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili konsiderohet përgjegjësi kryesor për qeverisjen e korruptuar në Serbi.
Muajt e fundit, në krye të protestave dhe manifestimeve antiqeveritare anembanë Serbisë kanë dalë studentët e universiteteve publike dhe qytetarët. Së fundi, lëvizja studentore ka bërë thirrje për padëgjueshmëri qytetare.
Vuçiq i ka fajësuar “shërbimet e huaja” për valën e protestave dhe pakënaqësisë ndaj qeverisjes së tij.
(r.m.)