Vuçiq: Me formimin e Asociacionit, kontrollin e policisë në veri do ta kenë serbët

Beograd, 23 dhjetor 2025 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se situata aktuale e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës është “pasojë” e mosformimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai ka thënë se formimi i Asociacionit do të mundësnote që policia në pjesën veriore të Kosovës të kontrollohej nga serbët lokalë dhe ka theksuar se kjo është arsyeja kryesore që Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, e kundërshton formimin e Asociacionit.

“Kur ta kemi Asociacionin, e gjithë policia në veri të Kosovës do të jetë në duart e serbëve, në duart e policëve serbë. Kjo është arsyeja pse Kurti nuk e dëshiron Asociacionin”, ka thënë Vuçiq në një intervistë televizive.

Vuçiq i ka etiketuar si “patriotë të rremë” kritikët e politikës shtetërore të Serbisë ndaj Kosovës dhe serbëve në Kosovë, të cilët, siç është shprehur, “flasin me lehtësi për luftë dhe për ndërhyrje ushtarak” të Serbisë në Kosovë. Ai ka thënë se në Serbi ka njerëz që “u gëzohen” tensioneve në Kosovë, duke shtuar se përmirësimi i pozitës së serbëve në Kosovë nuk ështyë gjë e lehtë.

“Dikush duhet ta drejtojë vendin dhe të vlerësojë se deri ku mund të durohet, deri ku shkojnë kërkesat tona. Duhet të përpiqemi t’i zgjidhim gjërat përmes dialogut”, ka thënë Vuçiq.

(r.m.)