Vuçiq: Ndryshimi i rrjedhës së Ibrit nuk është kërcënim për Kosovën, është interes i yni

Beograd, 10 gusht 2026 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi edhe të hënën se tashmë ka filluar puna në hartimin e projektit për devijimin e rrjedhës së lumit Ibër në Serbi.

“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, ka deklaruar Vuçiq të dielën.

Të hënën ai tha se pret që inxhinierët dhe ekspertët t’ia dorëzojnë propozimin për realizimin e këtij projekti, tash për tash ideor.

“Tani, natyrisht, shkencëtarët, inxhinierët dhe të gjithë të tjerët do të ulen, do ta shqyrtojnë çështjen dhe do të më propozojnë se si mund të realizohet kjo”, tha ai.

Vuçiq mohoi se lansimi i këtij projekti përbën kërcënim për Kosovën, duke shtuar se realizimi i tij është me interes për Serbinë.

“Unë nuk e kam kërcënuar askënd. Nuk jam unë Kurti që t’i kërcënoj njerëzit. Nuk po e kërcënoj askënd. Ne thjesht do të merremi me problemet tona. Ne kemi interesat tona dhe merremi me to”, ka thënë ai.

Ideja për devijimin e rrjedhës së lumit Ibër në Serbi nuk është e re. Në dhjetor të vitit 2024, pas shpërthimit që dëmtoi kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, Vuçiq kishte thënë se ideja për devijimin e rrjedhës së Ibrit për nevojat e popullatës në Serbi është e vitit 1985.

Lumi Ibër, i gjatë rreth 270 kilometra, buron në territorin e Malit të Zi, kalon nëpër territorin e Serbisë dhe nëpër territorin e Kosovës dhe prapë kalon nëpër territorin e Serbisë. Në rrjedhën që kalon nëpër Kosovë është ndërtuar Liqeni i Ujmanit. Dy të tretat e sipërfaqës së këtij liqeni gjenden në territorin e Kosovës. Nga liqen furnizohen me ujë shtatë komuna të Kosovës, përdoret për ujitje të tokave bujqësore dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq.

Devijimi i rrjedhës së këtij lumi do të binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare. Konventa e Kombeve të Bashkuara për përdorimin jo-navigacional të ujërave ndërkombëtare e rregullon çështjen e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare.

Serbia është palë e kësaj Konvente, kurse Kosova nuk është palë e saj konvente, pasi nuk është anëtare e OKB-së.

(r.m.)