Vuçiq: Në kampin për stërvitje luftarake në Serbi ishin edhe tre shtetas rusë

Beograd, 15 tetor 2025 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se është konstatuar se në kampin për stërvitje luftarake-taktike të shtetasve moldavianë dhe rumunë në perëndim të Serbisë kanë qenë të pranishëm edhe tre shtetas të Federatës Ruse. Por, ai ka shtuar se tash për tash nuk mund të thotë nëse ata ishin pjesëtarë të ndonjë shërbimi rus.

“Nuk mund të them se ishte ndonjë shërbim rus, por kemi konstatuar praninë e tre shtetasve rusë në kampin Sunçana Reka, afër Loznicës. Kemi shoqëruar personat e kombësisë serbe që ishin të disponueshëm për ne. Ata na dhanë informacion për personat në fjalë dhe hetimi vazhdon”, ka thënë Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse ishte verifikuar pretendimi se shërbimet ruse qëndronin pas kampit luftarak pranë Lloznicës.

Më 26 shtator, Policia e Serbisë i ka arrestuar dy persona që dyshohet se kishin organizuar trajnime luftarake-taktike për shtetas të Moldavisë dhe të Rumanisë, me qëllim që të nxisnin trazira në Moldavi gjatë zgjedhjeve në këtë shtet.

Arrestimi i tyre është bërë pasi autoritetet moldave paralajmëruan publikisht ekzistencën e kampeve luftarake në Serbi, për organizimin e të cilave e akuzuar një shërbim sekret rus. Rusia i ka mohuar këto akuza, ndërsa policia dhe prokuroria serbe nuk e përmendën fare Rusinë në njoftimet e tyre.

Policia serbe ka thënë se trajnimi është zhvilluar nga 16 korriku deri më 12 shtator në një objekt afër Loznicës, në pjesën perëndimore të Serbisë dhe në të kanë marrë pjesë 150 deri 170 shtetas të Moldavisë dhe të Rumanisë.

Kjo nuk është hera e parë që Moldavia paralajmëron për ekzistencën e kampeve ruse në Ballkanin Perëndimor. Përpara zgjedhjeve të vitit 2024, autoritetet moldave kanë thënë se në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë ishin organizuar trajnime të drejtuara nga persona të lidhur me paramilitarët rusë. Beogradi nuk e ka konfirmuar asnjëherë ekzistencën e tyre.

(r.m.)