Vuçiq: Nuk do të shkoj në takimin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë

Beograd, 1 dhjetor 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, reagoi me zemërim ndaj qëndrimit të Bashkimit Evropian (BE) lidhur me emërimin e Nenad Rashiqit, ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës.

Vuçiq tha se akush nga Serbia nuk do të marrë pjesë në takimin BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tiranë, më 6 dhjetor.

“Askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë me 6 dhjetor”, tha Vuçiq, duke shprehur zemërimin me, siç tha, “reagimin e turpshëm” të Bashkimit Evropian ndaj emërimit të zotit Rashiq ministër në qeverinë e Kosovës.

Sipas Vuçiqit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të cilin e quajti “llum terrorist”, nuk mori gjykimin e BE-së për emërimin e Rashiqit.

“Deklarata e Brukselit është e turpshme. Kjo është fjala më e butë që mund të përdoret në këtë rast”, u shpreh Vuçiq në televizionin proqeveritar “Pink”.

Ai iu referua një deklarate të zëdhënësit të BE-së, i cili citohet të ketë thënë se “është me rëndësi thelbësore që emërimet e ministrave të bëhen në pajtim më Kushtetutën e Kosovës”.

“Në rastin konkret i bëjmë thirrje Kosovës të sigurohet që janë përmbushur të gjithë hapat procedural për emërimin e ministrit që përfaqëson bashkësitë jo shumicë”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Sipas Vuçiqit, emërimi i Rashiqit është kundërkushtetues dhe në shkejlje të marrëveshjes së Brukselit dhe të drejtës ndërkombëtare.

“Jo vetëm që i kanë shkelur të gjitha pikat e marrëveshjes së Brukselit, por edhe të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare dhe nuk e kanë dert, sepse kjo është në interesin e një fuqie evropiane”, u shpreh ai.

Vuçiq feu ministrin e sapoemëruar, Nenad Rashiq, si edhe këshilltaren e tij, po ashtu të sapoemëruar, Rada Trajkoviq. Ai tha se Rashiqi e Trajkoviqi “e kanë vetëm besimin e Albin Kurtit dhe të agjenurave perëndimore”

“Kanë përzgjedhur fundërrinën më të keqe serbe, nga fundi i fuqisë, Rashiqin dhe Rada Trajkoviqin. Nuk ka më të këqinj se këta. Ata nuk e kanë besimin e askujt, por e kanë besimin e Albin Kurtit dhe agjenturave perëndimore. Mendojnë se kështu do të na frikësojnë. S’ka problem. Mund ta shkatërroni presidentin e Serbisë, të organizoni protesta në Serbi, të më vrisni, por për mua Kosova është shenjtëria më e madhe serbe. Më mirë të mos jem se sa t’jua jap në dorë, por nuk do t’jua dorëzoj në dorë”, u shpreh ai.

Emërimi i Rashiqit në pozitën e ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës pak para se të mbushet muaji prej dorëheqjes së Goran Rakiqit nga kjo pozitë.

Dorëheqja pasoi mospajtimet e përfaqësuesve serbë në veriun e Kosovës me vendimin e Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave të automjeteve të lëshuara nga Serbia.

Aktualisht në institucionet e Kosovës në veri nuk ka punonjës serbë, ndërsa Lista Serbe i plotësoi vendet e lëna bosh nga deputetët e saj në Parlamentin e Kosovës, siç tha, “për të mos lejuar që ato të plotësohen me serbë të dëgjueshëm ndaj autoriteteve në Prishtinë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës ishte bërë me vendim politik, të shtyrë nga Beogradi, dhe se kthimi i tyre duhet të bëhet në rrugë ligjore.

(r.m.)