Beograd, 4 janar 2026 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka kritikuar të dielën kapjen e aleatit të tij, udhëheqësit të Venezuelës, Nicolas Maduro, nga Shtetet e Bashkuara.
Vuçiq ka thënë se operacioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë tregoi se “rendi I vjetër në botë po bie” dhe “Karta e Kombeve të Bashkuara nuk funksionon më”. Ai ka theksuar se tani në botë mbizotëron ligji i forcës.
“Në botë sot mbizotëron ligji i forcës, ligji i të fortit. Kushdo që është më i fortë është ai që shtyp. Ky është i vetmi parim i politikës bashkëkohore që ekziston sot në botë”, ka thënë Vuçiq të dielën në Beograd, pas mbledhjes së Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë.
“Normat ndërkombëtare nuk funksionojnë më. Duhet ta kuptojmë dhe ta pranojmë se Karta e Kombeve të Bashkuara nuk funksionon pas aksionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë”, ka theksuar ai.
Sipas tij, kjo shihet edhe nga reagimet e botës ndaj operacionit amerikan në Karakas.
“Mjafton të shihet se si reaguan përfaqësuesit e Bashkimit Evropian ndaj kësaj që ndodhu në Venezuelë”, ka thënë ai, transmeton Gazeta beogradase “Danas”
Sipas Vuçiqit, përfaqsuesit e Bashkimit Evropian tani “i mbrojnë interest e tyre të vogla” dhe “frikësohet se çfarë do të ndodhë me Grenlandën”.
Vuçiq tha se Serbia “dëshiron miqësi me SHBA-në, por është detyra jonë të themi kur ka shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.
Zyrtarët e Serbisë mbajnë lidhje të ngushta me Maduron, pavarësisht se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja vazhdimisht kanë thënë se ai nuk ka legjitimitetin e një presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike, për shkak të parregullsive zgjedhore.
Vuçiq foli me Maduron për herë të fundit ka më 21 gusht 2025, kur zhvilloi bisedë telefonike.
Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq asokohe e quajti Maduron “mik të madh” të Serbisë dhe tha se kishin biseduar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.
Një nga argumentet kryesore për forcimin e bashkëpunimit me Venezuelën, të cilat i kanë paraqitur zyrtarët serbë, është fakti se Venezuela nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Në inaugurimin e Maduros si president në janar të vitit të kaluar mori pjesë kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, duke nxitur kritika nga Brukseli.
Në vitin 2023, Serbia dhe Venezuela nënshkruan marrëveshje për heqjen e vizave dhe paralajmëruan hapjen e ambasadës serbe në këtë vend.
(r.m.)