Vuçiq pas takimit me Sorensenin: Dialogu me Kosovën të përqendrohet te Asociacioni dhe te të drejtat e serbëve

Beograd, 26 gusht 2025 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur në Beograd të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian (BE), Peter Sorensen.

Pas takimit, Vuçiq ka thënë se me të dërguarin e BE-së ka zhvilluar “një bisedë të hapur, të fokusuar në mundësitë për vazhdimin e dialogut me Prishtinën” dhe në sfidat lidhur me pozitën e serbëve në Kosovë.

Vuçiq ka thënë se për Serbinë është thelbësore që dialogu me Kosovën të “kthehet tek obligimi” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe te mbrojtja e të drejtave të serbëve.

“Politika jonë është politika e paqes, e përkushtuar fuqishëm në kërkimin e zgjidhjeve kompromisi përmes dialogut, por edhe e vendosur dhe e përgjegjshme në mbrojtjen e interesave shtetërore e kombëtare”, shkroi Vuçiq në Instagram, pas takimit me Sorensenin, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Sipas tij, përpjekja për mosc ertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë tregon se “respektimi i të drejtave themelore dhe lirive të veprimit politik të serbëve është i rrezikuar”.

I dërguari i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, e kishte vizituar Prishtinën më 6 gusht, ku me kishte diskutuar zyrtarët kosovarë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

I pyetur nga gazetarët mbi gjendjen aktuale të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Sorensen tha shkurt se procesi është “aktiv”.

Marrëveshja për të cilën bëhet fjalë u arrit mes dy palëve në vitin 2023.

Edhe pse nuk është nënshkruar, BE-ja insiston se marrëveshja është detyruese.

Dokumenti prej 11 nenesh, ndër të tjera, parasheh një nivel të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë, njohjen reciproke të simboleve shtetërore, shmangien e bllokimit nga Serbia të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe detyrimin që Prishtina dhe Beogradi të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëparshme të arritura në dialog.

Rundi i fundit i dialogut Kosovë–Serbi, me ndërmjetësimin e BE-së, u mbajt më 10 qershor.

Pas këtij takimi, në nivel të kryenegociatorëve, Sorensen deklaroi se po bëhen përgatitje për një takim në nivel të lartë.

Takim i tillë mes Kosovës dhe Serbisë nuk është zhvilluar që nga shtatori i vitit 2023.

Ai takim u mbajt pak ditë para se një grup serbësh të armatosur të sulmonte policinë e Kosovës në Banjskë, afër Zveçanit.

Kosova fajëson Serbinë për atë ngjarje, ndërsa Beogradi mohon çdo përfshirje.

Sorensen erdhi në Serbi në mes të një krize politike dhe protestave shumëmujore kundër qeverisë, që shpërthyen pas vdekjes së 16 personave në shembjen e çatisë së Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit.

Protestuesit, përveç kërkimit të përgjegjësisë për këtë tragjedi, po ashtu kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare – kërkesë që autoritetet e refuzojnë.

(r.m.)