Vuçiq për dinarin: Serbisë po i kërkohet ta shesë “Bankën e Kursimore të Postës”

Beograd, 29 mars 2024 – Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të premten, një një adresim televiziv për qytetarët, ka folur për “presionet” që po ushtron Perëndimi ndaj Serbisë, për shkak të qëndrimeve të saj ndaj Rusisë, Kosovës dhe Republikës Serbe.

Duke folur për “presionet” lidhur me lidhur me çështjen e përdorimit të dinarit të Serbisë në transaksionet me para të tashme në Kosovë, Vuçiq ka thënë se Serbisë po i kërkohet t’ia “shesë” bankës “Raiffeisen” apo ndonjë banke tjetër, “Kursimoren e Postës” të Serbisë. Dhe ai e ka hedhur poshtë kategorikisht një mundësi të tillë.

“Asnjë bankë serbe nuk do ta shohin në Kosovë. Çfarë? Ju pritni nga ne t’ia shesim ‘Kursimoren Postare’ ‘Raiffeisenit’? A jeni ju të marrë apo po bëheni si të marrë?”, është shprehur Vuçiq.

Ai theksoi se Serbia “nuk mund dhe nuk do të pranojë heqjen e dinarit” nga përdorimi në Kosovë.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë u takuan dy herë në Bruksel këtë muaj për të diskutuar për çështjen e dinarit, por dallimet mes tyre vazhdojnë të jenë të mëdha dhe Bashkimi Evropian njoftoi për një takim të ri në prill.

Kryenegociatori serb Petar Petkoviq tha këtë javë se pala serbe do të përpiqet që të vazhdojë funksionimi i bankës së Serbisë në Kosovë, në mënyrë që serbët të marrin pagat, pensionet dhe ndihmën tjetër.

Për Këshillin e Evropës

Vuçiq paralajmëroi se Serbia do të marrë “vendim serioz” për Këshillin e Evropës, nëse kjo organizatë evropiane e pranon Kosovën si anëtare me të drejta të plota.

“Ne do të vazhdojmë të flasim për Kosovën, do të marrim edhe vendime për Këshillin e Evropës”, tha ai.

“Mendoj se reagimi i Serbisë duhet të jetë i fortë, serioz dhe i përgjegjshëm”, tha Vuçiq, por nuk shpjegoi se cili do të jetë vendimi i vendit të tij nëse Kosova bëhet anëtarja më e re e kësaj organizate.

Asambleja Parlamentare pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës në prill, dhe nëse ajo jep dritën jeshile, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj.

Për Asociacionin

Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Vuçiq tha se disa emisarë perëndimorë i kanë thënë në disa raste se “Kosova është ajo duhet të ndërmarrë e para një hap në drejtim të themelimit të Asociacionit, para çdo hapi të Serbisë”.

Sipas tij, në mesin e emisarëve që ia kanë thënë këtë ishin edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Vuçiq paralajmëroi se së shpejti do të ketë “takime të rëndësishme”. Ai tha se nga presidenti francez, Emmanuel Macron, ka marrë ftesë për një vizitë në Paris dhe se atje do të diskutojë për çështjen e Asociacionit.

Në fund të vitit të kaluar, bashkësia ndërkombëtare ua propozoi Kosovës dhe Serbisë një draft të statutit të Asociacionit. Fillimisht, të dy palët deklaruan se ne pranojnë në parim, por nuk kanë bërë asnjë hap përpara.

Por, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në disa raste se ai nuk e ka pranuar këtë draft-statut. Ai tha se formimi i Asociacionit është pjesë e pakos së Marrëveshjes Bazike për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e cila duhet të zbatohet vetëm si e plotë.

(Disa pjesë të këtij raporti janë marrë nga Radio Evropa e Lirë)