Vuçiq për Marrëveshjen e Brukselit: “… nuk do ta nënshkruaj, për shkak të shumë gjërave”

Beograd, 30 mars 2024 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk e mohoi se ai ishte pajtuar me Marrëveshjen e Ohrit, njëra prej pikave të së lilës është që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Por, ai theksoi se Prishtina nuk ka bërë asgjë në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

I pyetur në konferencën për shtyp nga N1 përse Serbia tani e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në qoftë se është pajtuar me këtë duke e pranuar Marrëveshjen e Ohrit, Vuçiq tha:

“Për atë nenin 4 të Marrëveshjes së Ohrit kam folur në Kuvend. Mund ta kishit gjetur që jam përgjegjur 4 apo 5 herë në pyetjet e deputetëve opozitarë. Në fjalimin tim të parë pas Ohrit kam thënë se në parim e pranojmë, por nuk do ta nënshkruaj për shkak të shumë gjërave”, tha ai.

Ai tha se këtë nuk do ta bëjë, para së gjithash, për shkak të kundërshtimit të anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Siopas tij, megjithatë Serbia i ka përmbushur disa obligime të saj, ndërsa Kosova nuk e ka përmbushur asnjë.

“Ne i kemi përmbushur disa obligime, kurse ata [Kosova] asnjë, sepse mashtrimi i tyre qëndron në faktin se ata nuk e duan Asociacionin e komunave serbe. Nuk duan asgjë nga kjo. Dhe, nga ky këndvështrim, kjo [marrëveshja] është e kundërligjshme, jo vetëm sepse nuk është e shtetit dhe sepse nuk e kam nënshkruar”, tha ai.

Vuçiq tha se ambasadorët e vendeve të QUINT-it, në takimin e para disa ditëve, i kanë thënë se duhet të insistojë në krijimin e Asociacionit.

“Ata më thanë: insisto në këtë, ky është argument serioz. Kot mund të insistoj sa të doni, derisa ata kanë qëllime gjeopolitike më të mëdha për ta rrëzuar Serbinë. Vetëm ta keni këtë parasysh. Dhe pikërisht këtu qëndron një problem shtesë – si do të duket Kapitulli 35-të. Ne vetëm mund të themi se nuk jemi dakord me diçka dhe kaq”, u shpreh Vuçiq.

Ndrërkohë, Daniel Serwer, profesor në universitetin “John Hopkins”, ka shprehur dyshime se SHBA-ja mund t’ia ketë premtuar Beogradit themelimin e Asociacionit, e cila ndërlidhet me votimin e 18 prillit e Asamblesë Parlamentare në të cilën Kosova bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

“Druaj se amerikanët ia kanë premtuar Beogradit Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe nuk duan të bien në shpatat e tyre. SHBA-ja nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, por ndikimi i saj te disa prej shteteve evropiane, përfshirë Francën, do të jetë i fortë”, shkroi ai në platformën X.

Duke i komentuar deklaratat e Presidentit të Serbisë, Serwer tha se Vuçiqi, duke u shtirur si viktimë, synon ta bindë Perëndimin për formimin e Asociacionit.

(r.m.)