Vuçiq: Po e shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër

Beograd, 9 gusht 2026 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot se Serbia po e shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në territorin e saj, siç është shprehur, “për shkak të qëndrimit të autoriteteve të Prishtinës ndaj popullit serb në Kosovë e Metohi”.

“Ne tashmë i kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje – nga sektori i ndërtimit, inxhinierisë e të tjerë – derisa ata [autoritetet e Kosovës] po e keqtrajtojnë kaq shumë popullin tonë. Le të shohim. Ne kemi arsye të ndryshme për ta ndryshuar rrjedhën e Ibrit, do të shohim pastaj se çfarë do të bëjnë dhe si do të sillen shqiptarët”, u ka thënë Vuçiq gazetarëve, gjatë vizitës së punimeve në Urën e Vjetër të hekurudhës në Beograd, transmeton gazetas “Danas”.

“Ne jemi një shtet sovran. E dini, ndonjëherë kemi interesa të këtilla, ndonjëherë të atilla, dhe do të veprojmë në përputhje me to”, ka shtuar ai.

Vuçiq ka thënë se populli serb në Kosovë “jeton në kushte jashtëzakonisht të vështira”, dke ka shtuar se shteti serb “po bën gjithçka që mundet për t’ua lehtësuar jetën atyre”.

Ai ka thënë se ai i ndjek me vëmendje zhvillimet në Kosovë, por nuk mund të bëjë më shumë për serbët, për shkak të pranisë së NATO-s.

“Unë i shoh mirë rrethanat atje dhe merrem përditë me to. Dhe është shumë vështirë. A e është opsioni ynë në këtë moment që të hyjmë në luftë me NATO-n? Unë mendoj se nuk është”, është shprehur ai.

Në rrjedhën e lumit Ibër, në territorin e Kosovës, është ndërtuar një digë, duke krijuar kështu liqenin e Ujmanit. Serbia pretendon se ka hise në resurset ujore të këtij liqeni, ndonëse diga ndërtuar nga Kosova, për nevojat e qytetarëve dhe ekonomisë së Kosovës.

Një pjesë e madhe e Kosovës furnizohet me ujë të pijshëm dhe me ujë për ujitje nga Liqeni i Ujmanit. Resurset ujore dhe toka rreth liqenit është pronë publike e Kosovës, e cila menagjohet nga Ndërmarrja Publike “Ibër Lepenci”.

Nën digën e Ujmanit është ndërtuar edhe një hidrocentral i vogël, nga i cili furnizohen me energji disa vendbanime në pjesën veriore të Kosovës. Serbia pretendon se hidrocentrali i përket Serbisë.

Lumi Ibër buron rrëzë bjeshkës së Hajles, në zonën kufitare mes Kosovës e Malit të Zi. Rrjedha e tij kalon nëpër Mal të Zi, Serbi e Kosovë dhe futet prapë në Serbi.

Rrjedha dhe shfrytëzimi i lumenjve ndërkufitarë rregullohen përmes konventave ndërkombëtare, si: Konventa e Kombeve të Bashkuara për Ujërat (Konventa e Helsinkit), e cila përcakton rregulla për mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore të përbashkëta midis shteteve. Ndërrimi i rrjedhës së lumenjve nuk mund të bëhet pa marrëveshje midis shteteve nëpër të cilat rrjedhin, shpesh edhe pa marrëveshje rajonale e ndërkombëtare.

(r.m.)