Vuçiq: Serbia i eksporton të gjitha armët që i prodhon për treg

Beograd, 9 mars 2024 – Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se – Serbia i eksporton të gjitha armët që mund t’i prodhojë për shitje. Ai ka thënë se interesimi për armët e Serbisë është aq i madh sa Serbia mund të shesë gjithë prodhimin e tyre të 30 vjetëve vetëm përmes një kontrate.

“Gara e armëve nisi kur bota e kuptoi se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do të mposhtej lehtë. Prandaj, të gjithë po armatosen pesë herë më shpejt”, ka thënë Vuçiq gjatë një vizite në Institutin Tekniko-ushtarak, në Beograd.

Vuçiq ka thënë se Serbia synon që në të ardhmen synohet të prodhojë 5.000 dronë kamikazë që janë zhvilluar nga ekspertët e këtij instituti. Ai ka thënë se deri në muajin shtator pritet të vihet në përdorim fluturakja pa pilot “Sparroë”.

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë, Nemanja Staroviq, ka thënë se dy vjetët e fundit basjkëpunimi i Serbisë me Rusinë ka shënuar rënie, ndërsa bashkëpunimi me vendet e NATO-s ka shënuar ngritje.

“Duke pasur parasysh rrethanat e reja të krijuara, bashkëpunimi i Serbisë me Rusinë nuk është zhvilluar dukshëm që nga nisja e luftës në Ukrainë”, ka thënë aik për Zërin e Amerikës.

Serbia është pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s që nga viti 2006. Ky program konsiderohet hapi i parë drejt anëtarësimit në aleancë. Por, në vitin 2007, Serbia ka deklaruar se ësht՞ shtet neutral në aspektin ushtarak dhe nuk dëshiron të jetë pjesë e NATO-s.

(r.m.)