Vuçiq: SHBA të inkurajojë Prishtinën që të përmbushë obligimet e saj

Beograd, 12 janar 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pret që SHBA-ja të inkurajojë Kosovën që “të përmbushë obligimet e saj në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara”.

“Shpreha pritjen që SHBA-ja të njohë përpjekjet e vendit tonë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe të përdorë ndikimin e saj të padyshimtë dhe të inkurajojë Prishtinën që të përmbushë obligimet e saj në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara, por edhe të vazhdojë dialog në frymën e shkëmbimit të sinqertë dhe të hapur të propozimeve për zgjidhjen e sfidave specifike”, ka shkruar Vuçiq në Instagram, të enjten, më 12 janar, pas takimit me këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Vuçiq ka shkruar se me z. Chollet ka pasur një “bisedë përmbajtësore dhe të hapur”.

Derek Chollet do të bisedojë ndaras edhe me kryeministren Ana Brnabiq dhe ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiq.

Një nga temat e diskutimit do të jetë vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks nëplanin e Bashkimit Evropian pwr normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Ky plan, I hartuar nga Franca dhe Gjermania, u është dorëzuar autoriteteve në Prishtinë dhe në Beograd në fund të verës.

Plani e sheh si kushnthemelore për normalizimin e marrëdhënieve pranimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të të dy shteteve si edhe mbrojtjen e pakicave kombëtare. Plani parasheh edhe njohjen e simboleve shtetërore dhe një marrëveshje të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Derek Chollet arriti në Beograd një ditë pas qëndimit në Prishtinë, ku u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me kryeministrin Albin Kurti. Pas takimeve, ai tha se pret që Kosova të hartojë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha ai.

Chollet tha se pret që Qeveria e Kosovës “të vendosë në tryezë disa propozime ” për Asociacionin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të enjten në Vjenë, pas takimit me Kancelarin austriak Karl Nehammer, se çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të adresohet në marrëveshjen finale për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

(r.m.)