Beograd, 7 tetor 2025 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Beogradi nuk ka më çfarë të diskutojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen e sanksioneve ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) por do të diskutojë me Rusinë, e cila ka shumicën e pronësisë në këtë kompani.
“Nuk kemi më çfarë të diskutojmë me amerikanët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur qëllimin e tyre dhe Evropa do të mbështesë sanksionet amerikane”, tha Vuçiq më 7 tetor në Beograd, citon Radio Evropa e Lirë.
Ai tha se sanksionet amerikane ndaj NIS-it do të hyjnë në fuqi të mërkurën, më 8 tetor, pas shtyrjes gjashtëmujore që kishte qëllim t’i jepte shans kësaj kompanie të largonte aksionerin më të madh, kompaninë ruse “Gazprom Neft”, e cila është nëndegë e kompanisë “Gazprom”.
“Jam i sigurt se pas një kohe të shkurtër JANAF-i do të ndalojë furnizimin me naftë. Shpresoj që NIS-i të mos shkarkojë një numër të madh punonjësish”, tha ai.
Vuçiq tha se sistemi financiar-bankar nuk do të negociojë me NIS-in gjatë kohës që kjo kompani do të jetë nën sanksionet e SHBA-së.
Rrjeti i Naftës Adriatike (JANAF) është një tubacion nga Omishal në ishullin Kërk të Kroacisë, përmes të cilit nafta për nevojat e NIS-it transportohet deri në rafinerinë në Pançevë. Shumicën e aksioneve në këtë naftësjellës e ka shteti i Kroacisë.
Ministria e Minierave dhe Energjisë that ë martën se Serbia ka rezerva të mjaftueshme të naftës dhe të derivative të naftës.
“Do të bëjmë gjithçka që sistemi energjetik të mos rrezikohet sa i përket furnizimit të konsumatorëve dhe industrisë”, tha kjo ministri.
Katër ditë më parë, NIS-i dorëzoi në administratën amerikane në Uashington një kërkesë të re për shtyrjen e zbatimit të sanksioneve.
Që nga paralajmërimi për sanksione ndaj NIS-it në fund të vitit të kaluar e deri më tash, sanksionet ndaj kompanisë janë shtyrë gjashtë herë, nga një muaj secilën herë, dhe më pas në fund të shtatorit u shtyn për dhjetë ditë të tjera.
Shtetet e Bashkuara e futën NIS-in në listën e sanksioneve në janar, me qëllim, siç njoftoi, Uashingtoni parandalimin e financimit të luftës në Ukrainë përmes parave që vijnë nga kompanitë ruse të energjisë.
Që nga futja në listë të sanksioneve, struktura e pronësisë së NIS-it ka ndryshuar disa herë, por pjesa e saj më e madhe është ende në pronësi të kompanive ruse.
Kompania shtetërore ruse, Gazprom, është larguar prej NIS-it në shtator dhe një tjetër kompani e kontrolluar nga Gazpromi – Inteligjenca prej Shën Petersburgut – është bërë njëra prej pronareve kryesore, me 11.3 për qind të aksioneve.
Pjesën më të madhe të aksioneve në NIS e ka Gazprom Neft, nëndegë e Gazpromit, diku rreth 44.9 për qind, ndërsa shteti i Serbisë i zotëron 29.9 për qind të aksioneve. Pjesën tjetër të aksioneve në kompani e kanë hisedarë më të vegjël.
(r.m.)