Vuçiq tha se në Bruksel do të shkojë kur të formohet Asociacioni

Beograd, 9 shkurt 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se do të shkojë në Bruksel kur Prishtina ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kjo deklaratë erdhi pasi përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha më 9 shkurt se së shpejti do të ketë një takim të ri mes presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të vazhduar diskutimet për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

“Duhet të ma tregojnë kuptimin e atij [takimi me kryeministrin e Kosovës]. Nëse mendoni të më ftoni në Bruksel për të më bindur të them që Asociacioni mund bëhet njëkohësisht me diçka tjetër, apo pas diçkaje tjetër, mos më thirrni”, tha ai më 9 shkurt, në një ngjarje në Serbi.

Beogradi insiston në formimin e Asociacionit, si kusht për zbatimin e propozimit të BE-së.

Kryeministri Kurti tha sot se Asociacioni nuk është as parakusht për propozimin evropian, i njohur edhe si plani franko-gjerman, e as në qendër të tij.

(REL)