Vuçiq u bën thirrje serbëve në Kosovë që të votojnë për Listën Serbe

Beograd, 9 tetor 2025 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje serbëve në Kosovë që në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë të votojnë për Listën Serbe, partinë që kontrollohet plotësisht nga Beogradi.

Ai ka thënë se Lista Serbe është subjekti politik që, siç është shprehur, “nuk i nënshtrohet Kurtit [kryeministrit të Kosovës Albin Kurti] dhe nuk merr urdhra nga ambasada”.

“Nuk e fshehim që po u bëjmë thirrje qytetarët të votojnë për Listën Serbe, sepse është një listë e përgjegjshme që përfaqëson interesat e popullit serb, e cila nuk i nënshtrohet Kurtit dhe nuk merr urdhra nga ambasada”, ka thënë ai të enjten.

Vuçiq i apostrofoi disa operacione të autoriteteve të Kosovës kundër strukturave paralele serbe dhe të institucioneve ilegale të Serbisë në Kosovë, të cilat i cilësoi si “sulme me motive etnike ndaj komunitetit serb në Kosovë”.

Sipas Vuçiqit, ndaj kësaj partie është ushtruar “terror” në Kosovë.

“Lista Serbe ka duruar terrorin që nuk e ka duruar asnjë parti tjetër në kontinentin evropian në historinë moderne, si nga autoritetet shqiptare, ashtu edhe nga të tjerët që i kanë përndjekur vetëm ata”, ka thënë ai.

Pak ditë më parë, Vuçiqi tha se në ditët e ardhshme Serbia do të hapë konkurs për 400 vende të reja pune në institucionet shëndetësore serbe në Kosovë. Kjo deklaratë u cilësua si mashtrim i votuesve serbë për të votuar për kandidatët e Listës Serbe.

Lista Serbe, me urdhrin e Beogradit, më saktë t ë Vuçiqit, e kishte iniciuar largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri në nëntor të vitit 2022 dhe kishte bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve lokale të mbajtura në prill 2023. Për shkak të bojkotit, udhëheqjen e katër komunave në veri e kanë marrë kryetarët shqiptarë.

Në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor, Lista Serbe ka kandidatë për kryetarë të dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Partesh dhe Ranillug. Kjo parti garon me kandidat për kryetar edhe në komunën e Obiliqit.

(r.m.)