Beograd, 24 dhjetor 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kërkoi të dielën një grupi udhëheqësish të opozitës t’i japin fund grevës së urisë, përmes së cilës ata kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve lokales në Beograd, fituese e të cilave u shpall partia e Vuçiqit, Partia Përparimtare Serbe.
Vuçiq u ankua se ai përballet me ”protesta të përditshme” së paku gjatë shtatë vjetëve të fundit të qeverisjes së tij.
“Pra, le t’u kthehen detyrave të tyre. Mund të organizojnë protesta çdo ditë. Mendoj se gjatë nëntë viteve të kaluara, gati qe shtatë vjet kam protesta të përditshme para Presidencës. Çdo ditë kemi ndonjë protestë”, tha ai, transmeton Zëri i Amerikës.
Pesë udhëheqës të opozitës hynë në grevë urie, pasi aleanca opozitare “Serbia kundër dhunës” paraqiti prova për mashtrime zgjedhore në Komisionin e Zgjedhjeve të Serbisë.
Opozita thotë se asaj i është vjedhur fitorja në zgjedhjet për pushtetin lokal në Beograd dhe u kërkon institucioneve evropiane që të mos i njohin rezultatet e zgjedhjeve në Serbi, derisa të përfundojë një hetim i plotë ndërkombëtar për parregullsitë gjatë puocesit zgjedhor.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara thanë se procesi zgjedhor në Serbi duhet të përmirësohet ndjeshëm, ndërsa theksuan se “funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është në thelb të procesit të anëtarësimit të saj në bllok”.
Të hënën Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha se “trysnia ndaj votuesve, angazhimi vendimtar i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, si edhe përparësitë e partisë në pushtet e kanë dëmtuar procesin zgjedhor në tërësi”.
Ndërkaq, zyrtarët e pushtetit ngulin këmbë se zgjedhjet e parakohshme të 17 dhjetorit ishin të lira dhe të ndershme, me gjithë kritikat dhe tensionet politike pas përfundimit të votimeve.
(r. m)