Vuçiq: Vazhdimi i dialogut është çështje ditësh

Beograd, 4 qershor 2021 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se vazhdimi i dialogut Kosovë – Serbi do të vazhdojë brenda një afati të shkurtër kohor.

Një ditë pas takimit me Zëvendës-ndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mattheë Palmer, dhe me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, Vuçiq ka thënë se vazhdimi i dialogut “është çështje ditësh dhe jo javësh”.

Vuçiq ka thënë se gjatë bisedës me z. Palmer dhe z. Lajçak e ka përsëritur qëndrimin se “Serbia nuk është në favor të një konflikti të ngrirë” me Kosovën.

Ai ka thënë se në takim është biseduar edhe për temat e dialogut,  ndërsa e ka përmendur vetëm çështjen e personave të zhdukur.

“Serbia është e gatshme të zhvillojë dialog për çështjen e personave të zhdukur”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka thënë se Serbia e ka dëshmuar këtë gatishmëri dhe i ka përmendur gërmimet që janë bërë në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë nga komisionet për personat e pagjetur nga Serbia dhe nga Kosova, me mbështetjen e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe të EULEX-it.

Sipas tij, Serbia ka informacione për vendet ku janë varrosur ushtarët dhe civilët serbë në Kosovë.

(r.m.)