Pekin, 3 shtator 2025 – Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq akuzoi të mërkurën Kroacinë, Shqipërinë dhe Kosovën për “formimin e një aleance ushtarake kundër Serbisë”, por theksoi se ushtria serbe “është mjaft e fortë për të penguar çdo agresor të mundshëm nga fqinjësia”, raporton Index.hr.
“Nuk është rastësi që Prishtina, Zagrebi dhe Tirana formuan aleancë ushtarake. Dhe nuk e bënë këtë për shkak të Austrisë, të Hungarisë apo të Sllovenisë, por për shkak të Serbisë… Pse po na bëni të bëjmë sikur jemi më budallenj se sa jemi? Ne nuk jemi embecilë që të mos kuptojmë përse e bëtë këtë,” u tha Vuçiq gazetarëve në Pekin, transmeton agjencia serbe Beta.
Vuçiq nuk tha se për cilën aleancë po mendonte, por, me gjasë, po i referohej deklaratës për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes që Kroacia, Shqipëria dhe Kosova e kanë nënshkruar në muajin mars. Në dokument thuhet se bashkëpunimi ka objektiv stabilitetin dhe sigurinë në Evropën Juglindore, mbështetjen për rrugëtimin euroatlantike dhe forcimin e aleancës së tri vendeve mike që kufizohen edhe me Serbinë.
Paralajmërimi i paradës ushtarake në Beograd
Vuçiq tha se Serbia “nuk do ta prekë askënd”, por po e forcon ushtrinë e saj për të mbrojtur integritetin e saj territorial.
“Do ta kemi një paradë ushtarake më 20 shtator, kështu që do të shihni shumë gjëra të reja dhe do të habiteni… Ushtria serbe tani është faktor që i kundërpërgjigjet çdo agresori”, tha ai.
Presidenti serb pret që pas paradës ai do të akuzohet për kërshëllitje armësh dhe për kërcënim të kundërshtarëve politikë në vend dhe të fqinjëve, përfshirë Kroacinë, e cila e mbajti një paradë ushtarake në fund të korrikut, me rastin e shënimit të 30-vjetorit të Operacionit “Stuhia” për çlirimin e pjesëve të okupuara të vendit në vitin 1995.
“Pak kohë më parë në Kroaci u mbajt një paradë ushtarake, e organizuar si homazh dhe nderim të atyre që gjatë ‘Stuhisë’ e dëbuan popullsinë e tyre vetëm sepse ishin të një pëtkatësie tjetër etnike. Kur ne do të mbajmë paradë, ata do të thonë ‘Vuçiqi po kërshëllen armët përsëri’ dhe këtë do ta bëjnë në të njëjtat media kroate”, tha ai.
Vuçiqi mori pjesë në një paradë të madhe ushtarake në Pekin përmes së cilës u shënua 80 vjetori i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
(r.m.)