Vuçiqi e mbron kapon e bandave të krimit në pjesën veriore të Kosovës

Beograd, 14 prill 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dalë në mbrojtje të Milan Radojiçiqit, i cili konsiderohet si “kapo” në pjesën veriore të Kosovës,

Të premten, në një konferencë për media, Vuçiqi ka thënë se Radojiçiqi “ka qenë gjithmonë i gatshëm të luftojë për popullin”.

“Kur flasin për atë se jam fajtor që kam thënë se e di se sa ata që ndërhyjnë në veri për të vrarë serbët e frikësojnë Milan Radojiçiqin. Nuk kam gënjyer aspak, për këtë keni me dhjetëra e dhjetëra shënime, në të gjitha shërbimet tona, që e vërtetojnë këtë pa mëdyshje. A është ai akademik? Jo, nuk është. A ka qenë gjithmonë i gatshëm që të luftojë për popullin? Po, ka qenë. Nëse dini ndonjë gjë, njoftoni organet! Mos më flisni marrëzi nëpër televizione. Nuk do të mbrohen as Radojiçiqi dhe as disa të tjerë. Puna ime është të kujdesem se si jetojnë serbët në Kosovë”, është shprehur Vuçiq, citon “N1”.

Radojiçiq, i cili është nënkryetar i Listës Serbe, është person në kërkim të organeve të drejtësisë në Kosovë. Ai është i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Dyshohet se ai qëndron pas bandave që janë përgjegjëse për incidentet dhe tensionet në pjesën veriore të Kosovës.

Mlan Radojiçiq, i cili gjendet në listën e zezë të SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe, strehohet në Serbi. Deri më sot, ai ka marrë pjesë në pothuaj të gjitha takimet e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës me Vuçiqin.

Mediet e pavarura në Serbi kanë shkruar se Radojiçiq është njeri shumë i afërt me Vuçiqin. Ai ka fituar tendera të projekteve publike me vlera të mëdha që fiinancohen nga shteti i Serbisë, pikërisht për shkak të lidhjeve me kreun e shtetit serb.

(r.m.)