Beograd, 6 shkurt 2026 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se ai është shumë i shqetësuar për aleancën ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Sipas Vuçiqit, ajo që quhet “aleancë mbrojtëse” mund të shndërrohen brenda ditës në “aleancë sulmuese”.
“Një aleancë ushtarake krijohet për mbrojtje ose veprime sulmuese kundër territoreve të caktuara ose një aleancë mbrojtëse për territore të caktuara. Ajo aleancë mbrojtëse shndërrohet në një aleancë sulmuese brenda një dite, kështu që ne pyesim pse dhe për kë”, tha Vuçiq në një deklaratë për gazetarët në Mlladenovc, transmeton Danas.
Vuçiq pyeti përse duhet të krijohet një aleancë ushtarake mes këtyre tri vendeve, derisa Kroacia dhe Shqipëria janë në NATO. Ai theksoi se kjo ngre edhe pyetjen shtesë se si mund të krijojnë këto dy shtete aleancë me Kosovën.
Vuçiqi foli edhe për takimin e zyrtarëve të ministrive të Mbrojtjes nga Kosova, Shqipëria dhe Kroacia në Zagreb. Sipas tij, Serbia i dinte detajet e takimit, ndonëse palët në takim janë përpjekur që t’i mbajnë sekret.
“Ata u përpoqën t’i mbajnë sekret, por pastaj u befasuan se si ne i dimë detajet nga atje”, tha Vuçiq.
Sipas tij, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nuk po diskutojnë vetëm për pajisjen me armë të tri shteteve, por edhe për kaktikat e mundshme të sulmit, mbrojtjes dhe gjithçkaje tjetër.
Vuçiq theksoi gjithashtu se ajo që e shqetëson më shumë janë planet dhe kërkesat e reja të Kosovës për pajisjen me armë të reja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Turqia.
Megjithatë, ai përcolli “mesazhe qetësuese për qytetarët e Serbisë. Ai tha se “forca e ushtrisë serbe po rritet dita-ditës – me progresion gjeometrik”
Ai njoftoi se Serbia po blen “pajisjet më moderne, të cilat nuk i ka asnjë vend në Evropë ose i ka vetëm një vend”.
(r.m.)