Vuçiqin e tmerroi lajmi për pajisjen e Kosovës me dronë: “Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor”

Beograd, 8 tetor 2025 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ashpër pas arritjes në Kosovë të dronëve luftarakë kamikazë “Skydagger” të prodhuar nga kompania turke “Baykar”.

Vuçiq e ka akuzuar Turqinë se nuk e dëshiron stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, por e ëndërron rikthimin e Perandorisë Osmane.

“Jam i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe shkelja brutale e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si edhe nga armatosja e vazhdueshme e autoriteteve në Prishtinë. Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk e dëshiron stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe e ëndërron rikrijimin e Perandorisë Osmane. Serbia është një vend i vogël, por ne i kuptojmë qëllimet e tyre të vërteta”, ka shkruar Vuçiq në platformën X.

Ky reagim i Vuçiqit vjen pas njoftimit se në Kosovë kanë arritur se mijëra dronë luftarakë kamikazë “Skydagger” të blerë nga kompania turke “Baykar”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në njoftimin për arritjen e dronëve, ka thënë se pajisja me këta dronë shtohet fuqia mbrojtëse e ushtrisë së Kosovës.

“Me blerjen e këtij kontingjenti të fluturakeve pa pilot, krahas TB2 Bayraktar dhe fluturakeve Puma po vazhdojmë të ngrisim dhe shtojmë fuqinë goditëse të ushtrisë sonë me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet e reja teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore”, ka thënë ai.

“Këta dronë kamikaz të njohur edhe si FpV të tipit RTF (Ready to Fly) Skydagger, të prokuruar nga ne, janë dronë luftarakë të pajisur me mjete shpërthyese, me qëllim goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike të armikut”, ka shkruar Kurti në Facebook.

(r.m.)