New York, 6 maj 2025 – Gazeta amerikane “Wall Street Journal” i ka kushtuar një artikull drejtuesit të fushatës elektorale të Partisë Demokratike, amerikanit Chris LaCivita, i cili drejtoi edhe fushatën e Donald Trump, që e shpalli atë fitues si presidenti i SHBA-ve.
“Wall Street Journal” shkruan ndër të tjera se Chris LaCivita po përpiqet të përsërisë strategjinë e Donald Trump edhe për Sali Berishën.
“LaCivita ka folur në tubime të mëdha, ka ndihmuar në hartimin e reklamave televizive, ka marrë pjesë në disa lidhje ‘Zoom’ me mijëra shqiptarë, ka udhëtuar tri herë në Shqipëri është shfaqur në ngjarje të ndryshme publike dhe është kthyer në një objektiv për kundërshtarët dhe përkrahësit njëkohësisht. Ai shpesh i zhvillon takimet nga zyra e tij në Virxhinia”, shkruan gazeta amerikane.
“Ka një pjesë të elektoratit në Shqipëri që më pëlqen dhe një pjesë që nuk më pëlqen”, tha LaCivita duke qeshur, në një intervistë të fundit.
Gazeta shkruan se Berisha i ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij, si mashtrime dhe përpjekje nga kundërshtari i tij për hakmarrje politike.
LaCivita e krahasoi situatën me ndjekjet penale ndaj Trumpit.
“Në vitin 2024, të majtët u përpoqën ta fusnin në burg Donald Trump-in. Dështuan. Në vitin 2025, këtu në Shqipëri, socialistët duan të burgosin të gjithë opozitën e tyre. Do të dështojnë”, tha ai, në hapjen e fushatës së PD-së.
“Të njëjtit njerëz që ndërmorën veprime të ngjashme kundër Donald Trump-it. Gjurmët e tyre janë kudo në këtë rast”, tha LaCivita.
Sipas gazetës, shumica e mesazheve të LaCivita për Berishën i kanë pasqyruar mesazhet e Trumpit.
LaCivita tha se do të donte të merrte më shumë klientë të huaj, por do të ishte i kufizuar vitin e ardhshëm për shkak të punës së tij me politikanë amerikanë në zgjedhjet afatmesme.
LaCivita e fajësoi Ramën për rritjen e çmimeve dhe për krimin, duke u përqendruar edhe te inflacioni.
Ai nuk pranoi të thotë se sa po paguhet, por u shpreh se ishuma shte “në përputhje me një fushatë politike kombëtare” dhe se ajo do të bëhet publike nga Partia Demokratike, pas përfundimit të zgjedhjeve