Nga Ruben Avxhiu
“Suksesi nuk është përfundimtar, dështimi nuk është përfundimtar: është guximi për të vazhduar që ka rëndësi”, tha dje Guvernatori Ron DeSantis duke cituar kryeminstrin e famshëm britanik Winston Churchill, në deklaratën me të cilën njoftoi dorëheqjen nga gara presidenciale.
Vetëm se Winston Churchill nuk e ka thënë ndonjëherë këtë shprehje. Është një nga qindra citatet që qarkullojnë nëpër internet e që janë kopjuar e përsëritur kaq shumë herë me emrin e gabuar të autorit saqë pak kush lodhet për t’ua gjetur origjinën.
Shoqata Ndërkombëtare e Churchill-it e ka sqarur në një rast këtë citim të gabuar, duke iu referuar arkivit të saj të mbi 50 milionë fjalëve të shkrimeve, fjalimeve, dhe librave të udhëheqësit të njohur konservator.
Rrëmuja e internetit, me demokratizimin, inflacionin dhe injorimin e burimeve, me mbizotërimin injorancës, arrogancës, dhe delirit, me rrënimin e autoriteteve të kulturës dhe besimit në përgjithësi, do ta bëjnë gjithnjë e më të plotë kaosin. Nuk është çudi që një ditë të ribotohen vepra të njohura klasike me emra të ndryshëm nga ato të autorëve të vërtetë dhe të mos ketë asnjë reagim. Shumica e njerëzve nuk do ta dinë më se kush i ka shkruar, autoritetet e kulturës do ta kenë humbur besimin për t’iu pranuar korrigjimi. Njerëzit vetë do ta shpërfillin vlerën e korrigjimit të emrit.
Mbase nuk ka nevojë ta imagjinojmë këtë kohë distopike. Që tani autorët klasikë po ribotohen duke ua ndryshuar tekstet për t’ua përshtatur ndjeshmërive të lexuesit në Perëndim. Të paktën në këto raste po ndryshohen vetëm disa fjalë e shprehje. Akoma më absurde janë rastet në Rusi, ku autorë të dikurshëm rusë, të njohur për ateizmin apo homoseksualizmin e tyre po rishfaqen, pas vdekjes, me libra të rremë në të cilët kërkojnë ndjesë dhe shpallin ndryshimin e pikëpamjeve dhe moralit të tyre.
Dikur komunizmi i dërgonte autorët që dilnin nga vija për riedukim politik, por edhe mund t’i dënonte e t’ua ndalonte e zhdukte veprat. Mesa duket ka forma riedukimi që vijojnë edhe pas vdekjes.
Veprat e rishkruara apo ato të rrema shkaktojnë revoltën e lexuesve të një brezi, por nëse nuk ndryshon gjë, ato mbeten ashtu. Brezi tjetër që vjen i merr të mirëqëna.
Ka debate për versionet e vjetra edhe të librave të shenjtë. Ka debate për Biblën dhe për Kuranin. Për versionet konkurruese dhe ato që u bënë zyrtare dhe mbijetuan. Për keqkuptime e debate për përkthime që pastaj kanë mbetur në një version duke injoruar të tjera.
Brezi im u rrit pa e ditur se Hymni i Flamurit të Shqipërisë kishte një rresht ku përmendej Zoti.
Por nga të gjithë mëkatet ndaj një vepre të shkruar beteja për titullin e më të tmerrshmit duhet të jetë ai i tjetërsimit të autorit kundër tjetërsimit të tekstit origjinal. Kur mendon se ka ndodhur edhe me librat e shenjtë, dy gjëra të vijnë në mend. Ajo që mbase kjo e ditëve tona nuk është diçka e re, por një tjetër dallgë çmendurie apo arrogance e njerëzimit. Dhe e dyta, që kur janë tjetërsuar ato që besohen si “fjala e Zotit”, asgjë tjetër nuk është e paprekshme.
Autori mund të mendojë se është zot i fjalëve të tij, por brezat që vijojnë mund t’ia ndryshojnë çfarë ka thënë. Mund t’ia marrin fjalët e të shpallin autor dikë tjetër. Ose mund t’i vënë “në gojë” fjalë që nuk i ka thënë kurrë.
Si kryeministrit Winston Churchill, dje në Shtetet e Bashkuara.