Xhaçka: Dalja nga institucionet e Kosovës është një akt përshkallëzimi

Tiranë, 6 nëntor 2022 – Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka reaguar për situatën në Veri të Kosovës.

Në një postim në “Twitter”, Xhaçka ka shprehur shqetësimin për atë që po ndodh në Kosovë, të cilën e ka përshkruar si një akt përshkallëzimi në një kohë kur, siç është shprehur, “dialogu duhet më shumë se kurrë”.

“Shqetësim për zhvillimet në veri të Kosovës. Dalja nga institucionet e Kosovës është një akt përshkallëzimi në një kohë kur nevojitet bashkëpunim dhe dialog konstruktiv. Ky nuk është momenti për të hequr dorë dhe bojkotuar. Ky është momenti kur dialogu nevojitet më shumë se kurrë”, thuhet ne reagimin e Xhaçkës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë e rrezikojnë përparimin e bërë në dialogun mes këtyre dy vendeve.

Prej 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë vendimin për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Kjo shkaktoi reagime të ashpra te serbët në pjesën veriorë të Kosovës dhe në Beograd. Udhëheqja e Listës Serbe, partisë së serbëve të Kosovës që kontrollohet nga Beogradi, mori vendim që serbët t’e braktisin institucionet shtetërore të Kosovës.

(r.m.)