Xhaçka: Ish-krerët e UÇK-së akuzohen padrejtësisht si kriminelë lufte

Bruksel, 5 prill 2023 – Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka thënë se ish-drejtuesit e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht për krime lufte.

“Lufta e Kosovës për pavarësi nuk mund të rishkruhet. Ne e respektojmë parimin e barazisë para ligjit dhe gjykatën e cila është krijuar me vendim të Kuvendit të Kosovës, duke pasur parasysh akuzat që i hapën rrugë kësaj gjykate speciale, me vullnetin e atyre që sot janë marrë si të pandehur, për ta pastruar Kosovën nga kjo njollë. Ajo që po ndodh prej më shumë se dy vjetësh është e dëmshme. Duket qartë që nuk ka prova që UÇK ka kryer krime lufte dhe që udhëheqësit dhe komandanti i një lëvizjeje për çlirim nga shtypja dhe mbrojtja nga spastrimi etnik, akuzohen padrejtësisht si kriminelë lufte”, thënë ajo, në një intervistë, pas takimit të ministrave të vendeve të NATO-s.

Xhaçka ka thënë se për krimet e pretenduara nga Prokuroria Speciale duhet drejtësi e vërtetë, nq mënyrë që të hiqet “njolla e padrejtë e turpit nga lufta heroike e Kosovës për pavarësi”.

“Sikurse të gjithë bashkëkombësit tanë – në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo nëpër botë – ne kërkojmë drejtësi. Jo që dikush të jetë mbi ligjin, por që të shihen faktet dhe të hiqet njolla e padrejtë e turpit nga lufta heroike e Kosovës për pavarësi. Dhe të mos harrohet se krime lufte, vrasje civilësh në masë, varre masive ende të pazbuluara, përdhunime, tortura, zhvendosje të detyruara, etj. janë kryer prej regjimit të Millosheviqit. Për këto krime duhet drejtësi e vërtetë, duke përfshirë zbulimin e vendndodhjeve të të gjitha vendeve të varrimit”, është shprehur Xhaçka.

“Shqipëria po bën përpjekje këmbëngulëse që drejtësia të vihet në vend. Dhomat e Specializuara të Kosovës u ngritën pas Rezolutës së vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në të cilën, siç thash, përfshiheshin akuza për trafikim të organeve njerëzore, të pambështetura në asnjë fakt dhe në asnjë prove, në një raport të një raportuesi të Këshillit të Evropës”, ka shtuar ajo.

Ajo ka kujtuar se Kuvendi i Shqipërisë, para rreth një viti, e kamiratuar një rezolutë ku cilësohen të pabaza pretendimet për trafik të organeve njerëzore dhe kërkohet që Asambleja Parlamentare e Këshillit te Evropës të rishikojë rezolutën e miratuar prej saj.

“Kryeministri Rama e paraqiti këtë kërkesë me forcë, me argumente e me pasion, në një fjalim historik para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, ka theksuar Xhaçka.

Ajo ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve midis tyre, të propozuar nga Bashkimi Evropian.

“Kjo është pjesë e angazhimeve në kuadër të dialogut Kosove-Serbi, të cilat duhet zbatuar tërësisht, në mënyrë që të lëmë pas të kaluarën tragjike dhe të shohim nga e ardhmja e përbashkët evropiane”, është shprehur Xhaçka.

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë e ka cilësuar si një moment historik dhe si një mesazh të fortë për Rusinë dhe agresionin e saj në Ukrainë pranimin e Finlandës në NATO.

(r.m.)