Prishtinë, 8 shtator 2021 – Ekipet e emergjencës dhe mjekësisë ligjore, së bashku me ekipet hetimore, e kanë nxjerrë trupat e pajetë të dy fëmijëve që vdiqën të mërkurën në mëngjes nga zjarri që e kishte kapluar shtëpinë e tyre në fshatin Ujz të komunës së Gjakovës.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në orën 8:30, kur ka marrë flakë oda e familjes Sadriaj.
Sipas familjarëve, fëmijët B.Sadriaj dhe O.Sadriaj, njëri 10 vjeç e tjetri 13vjeç, gjendeshin në odë në momentin e shpërthimit të zjarrit.
Dy fëmijët e ndjerë kanë qenë djem të axhës dhe kanë jetuar në një bashkësi familjare.
Bashkim Sadriaj, xhaxhai i dy fëmijëve të ndjerë, ka treguar se si ka ndodhur ngjarja tragjike. Ai ka thënë se zjarri ka shpërthyer papritur dhe e ka përfshirë shumë shpejt gjithë shtëpinë, përfshirë odën e shtëpisë ku gjendeshin dy fëmijët.
“Ne i kemi shtëpitë pak më tutje, matanë. Dikush prej familjes sonë ka parë diçka si tym. Kemi vrapuar, por s’ka pasur shans t’i afrohemi. Ka pasë shumë tym dhe flakë. Gjithçka ka ndodhur shumnë shpejt. S’ka qenë hiq më shumë se pesë minuta”, ka treguar ai.
Bashkimi ka thënë se askush nuk ka parë as dëgjuar diçka që do të tregonte se fëmijët kanë bërë përpjekje të dalin nga hapësira që po digjej.
Ai kathënë se në shtëpi, bashkë me fëmijët, kanë qenë edhe tre persona të tjerë, dy prej të cilëve kanë dalë nga shtëpia vetëm pak para se të shpërthente zjarri.
Familjarët e dy fëmijëve të ndjerë dyshojnë që shkaktare e zjarrit ka qenë rryma elektrike.
Të njëjtin dyshim e ka shprehur edhe Hysni Sylmetaj, daja i njërit prej viktimave. Ai ka thënë se zjarri mund të jetë shkaktuar si pasojë e një shtylle elektrike, për të cilën ishte njoftuar KEDS-i, por nuk ishin marrë kurrfarë masash.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se kompania e ka dërguar një ekip të ekspertëve për të zbuluar shkaktarin e zjarrit.
“KEDS ka dërguar një ekip të ekspertëve që do të analizojnë secilin detaj çka ka ndodhur. Ne i lusim të gjitha palët që të përmbahen derisa të përpilohet raporti i eksperteve, bazuar në të gjeturat në vendin e ngjarjes”, ka thënë ai.
(r.m.)