Yuri Kim inkurajon SPAK-un të intensifikojë ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar

Tiranë, 5 janar 2023 – Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, është takuar sot me Kreun e ri të SPAK-ut, Altin Dumani, për ta uruar për postin e tij të ri.

Ambasada amerikane bëri të ditur se ambasadorja Kim ka ritheksuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fort zbatimin e reformës në drejtësi, një kërkesë për aspiratat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Ajo ka ritheksuar gjithashtu se SHBA-ja do të mbështesë plotësisht prokurorët dhe hetuesit e SPAK-ut për të intensifikuar ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, në përputhje me ligjin, pa frikë apo favore.

“Ambasadorja Yuri Kim u takua sot me Kreun e ri të SPAK, Altin Dumani, për ta uruar atë për postin e tij të ri drejtues. Ajo ritheksoi që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fort zbatimin e reformës në drejtësi, një kërkesë për aspiratat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Në këtë drejtim dhe për të çuar përpara jetësimin e faktit që Presidenti Biden e ka identifikuar luftën kundër korrupsionit si interes thelbësor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ne do të mbështesim plotësisht prokurorët dhe hetuesit e SPAK teksa ndërtojnë mbi sukseset e deritanishme dhe intensifikojnë ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, në përputhje me ligjin, pa frikë apo favore. Askush nuk është mbi ligjin”, ka shkruar ambasada në Facebook.

(r.m.)