Zbardhet rasti i rrëmbimit dhe vrasjes së 14-vjeçares nga Shkupi, ndër të dyshuarit edhe babai i saj

Shkup, 4 dhjetor 2023 – Policia dhe prokuroria maqedonase kanë njoftuar të hënën për arrestimin e tre personave të dyshuar për vrasjen e 14-vjeçares, Vanja Gjorçevska nga Shkupi.

Vanja Gjorçevska ishte zhdukur më 27 nëntor, pas daljes nga shtëpia për të shkuar në shkollë. Trupi i pajetë i saj është gjetur të dielën në Shkup.

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, ka bërë të ditur se i dyshuari kryesor për vrasjen e 14 vjeçares është arratisur nga vendi.

“Organizatori kryesor dhe autori i aktit, pasi e ka vrarë vajzën me pistoletë, është arratisur”, ka thënë Spasovski në konferencë për medie.

 “Do të bëjmë gjithçka që ky person apo kjo monstër, të vihet para drejtësisë sapo të shkel në tokën tonë”, ka theksuar Spasovski.

Ai ka thënë se ndër të dyshuarit për rrëmbimin dhe vrasjen e 14 vjeçares, Vanja Gjorçevska është edhe babai i saj.

“… babai i vajzës së mitur është arrestuar, është marrë në pyetje dhe ndaj tij po ndërmerren masa të tjera nga Prokuroria Publike”, ka thënë ai.

Sipas Spasovski, babai i 14 vjeçares i ka informuar të dyshuarit tjerë për kohën e daljes së vajzës nga shtëpia dhe për lëvizjen e saj drejt shkollës.

Ai ka thënë se motiv i rrëmbimit të vajzës ishte përfitimi material nga e ëma e saj.

“Motivi për këtë rast është përfitimi… Të dyshuarit e kanë organizuar dhe e kanë kryer aktin, me qëllim që të marrin para nga nëna e vajzës së mitur…”, ka thënë Spasovski.

Prokurori i Shtetit, Gavrill Buvevski, ka thënë se me Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut parashihen dënimet më të rënda për krime të tilla.

“Për vrasje të të miturve, sidomos për motive të tilla, parashikohen dënimet më të rënda”, ka thënë prokurori Bubevski.

Lidhur me këtë vrasje të dyfishtë, që nga zhdukja e 14-vjeçares, tashmë të vrarë ka pasur reagime të shumta në opinion, duke kërkuar nga organet shtetërore masa të shpejta për zbardhjen e rastit.

Ka pasur edhe reagime që rastit të rrëmbimit të 14 vjeçares Vanja Gjorçevska e kanëveshur me motive etnike, gjë që është shoqëruar edhe me manifestime që nxisin urrejtje ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.

Për këtë arsye, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut theksoi se të gjithë personat e dyshuar për këtë krim makabër janë maqedonas.

(r.m.)