Zbulimet e tolerancës imune periferike japin perspektiva të reja në luftën kundra kancerit

Rafaela Prifti  

Ndonëse nuk arrita ta ndjek transmetimin e ceremonisë së stilit mbretëror të Laureatëve të çmimit Nobel në Stokholm në 10 dhjetor, më tërhoqi vëmendjen Nobeli në fushën Fiziologji ose Mjekësi për vitin 2025, që ju akordua shkencëtarëve Mary E. Brunkow, Frederick J. Ramsdell dhe Shimon Sakaguchi “për zbulimet e tyre në lidhje me tolerancën imune periferike”.

Në sajë të hulumtimeve të tyre u gjetën “mbikëqyrësit” e imunitetit, të njohura si qelizat T rregullatore, të cilat nuk e lejojnë sistemin imunitar të sulmojë indet e vetë trupit, siç ndodh në rastet e sëmundjeve autoimune. 

Shimon Sakaguchi, MD. PhD nga Qendra Kërkimore e Avancuar e Imunologjisë në Osaka University, Japoni, ishte i pari që identifikoi një qelizë të re T rregullatore në 1995 që funksionon si “roje paqeruajtëse” në kontrollin e sistemit imunitar. Në vitin 2001, Mary Brunkow, PhD nga Instituti për Sistemet Biologjike në Seattle dhe Fred Ramsdell, PhD nga Sonoma Biotherapeutics në San Francisco zbuluan një mutacion në një gen të veçantë, që e quajtën Foxp3, i cili shkakton sëmundje të rënda autoimune, të studiuara tek minjtë dhe njerëzit. Sakaguchi, që e konfirmoi këtë, e ndërlidhi punën e tij kërkimore me dy shkencëtarët amerikanë. 

Zbulimet e laureatëve të fushës Mjekësi/Fiziologji hapin shtegun për kërkime të reja imunologjike, por njëkohësisht janë drejtpërdrejt të lidhura me shumë patologji të tjera ekzistuese. Prej tyre mund të përftohen përparime në terapitë e sëmundjeve autoimune si diabeti i tipit 1, artriti reumatoid dhe lupusi, si edhe të rritet efektiviteti i trajtimeve kundër kancerit, dhe përqindja e suksesit të rasteve të transplanteve të organeve.

Duke hapur horizonte të reja të tolerancës periferike, në kontekstin e qelizave T rregullatore, mundësohet stabilizimi i patogjenezës së sëmundjeve imunitare. Përtej kësaj dobie, me shumë gjasa, zbulimi kontribuon edhe në njohje më të thelluar të çrregullimeve të sistemeve kardiovaskulare, pulmonare dhe të tjera, të cilat në shikim të parë nuk duken se janë të lidhura me auto imunitetin.

Ndonëse Nobel pa shumë fanfarë, ky është vërtet zbulim shpresëdhënës për të gjithë!