Zbulimi i një varri monumental romak hap një perspektivë të re për Bulqizën

E njohur më së shumti për minierat e kromit, zona e Bulqizës po përjeton me entuziazëm zbulimin e një varri monumental të periudhës romake – që sipas arkeologëve është një monument i rëndësishëm dhe i paprecedentë në Shqipëri.

 

Në një ditë të nxehtë në fillim të shtatorit, buldozerët dhe ekskavatorët e një guroreje u fikën mes fushave të Strikçanit në Bulqizë, ndërsa vëmendja u përqendrua te kazmat dhe furçat e arkeologëve.

Për shumëkënd, kjo ishte një parcelë e zakonshme bujqësore me pamje mahnitëse nga lugina e Bulqizës nga njëra anë dhe fusha e Gjoricës dhe Maqellarës në anën tjetër.

Por arkeologët janë entuziastë që sapo kanë zbuluar një monument të përmasave kombëtare – një varr i periudhës romake, i pari i këtij lloji në Shqipëri.

Në brendësi të dhomës funerare, mbi një shtrat guri gjendet skeleti i një njeriu, që sipas mbishkrimit të gdhendur mbi monument, ka jetuar në shekullin III-IV të erës sonë. Quhej Gelliano, një emër romak, dhe besohet të ketë qenë një figurë e lartë e administratës romake. Përbri skeletit, ende ruhen fragmente të tekstileve të thurura me fije ari – një material i jashtëzakonshëm për nga ruajtja, që dëshmon për statusin e tij të lartë.

Arkeologu dhe akademiku, Adem Bunguri, njëherësh edhe drejtues i Institutit të Arkeologjisë, shpjegon se ky vend nuk është zgjedhur rastësisht. Në vitet ’70 sipas Bungurit, mësuesi i popullit, Selim Alliu, kishte zbuluar në të njëjtën zonë fragmente mozaikësh dhe një çekan eneolitik, dëshmi të hershme të jetës njerëzore.

“Kjo zonë, ose ky aks rrugor, ka qenë i banuar nga lashtësia më e thellë e deri në kohët moderne. Është një nyje e rëndësishme komunikimi mes Shqipërisë lindore dhe Adriatikut,” shpjegoi Bunguri.

Projekti “Kërkime arkeologjike në luginën e Bulqizës” nisi më 6 gusht. Në sondazhin e tretë në fushën e Gurrës, arkeologët u përballën me një strukturë të madhe prej guri.

“Fillimisht menduam se kemi të bëjmë me një bazilikë,” tregon arkeologu i ri, Erikson Nikolli, drejtues i projektit. “Por shumë shpejt u kuptua se kemi të bëjmë me një varr monumental të paprecedent në Shqipëri.”

Monumenti është i ndërtuar me blloqe të mëdha guri, me dimensione rreth 9 x 6 metra dhe një dhomë funerare 2.40 metra të lartë. Ka tre ambiente: dhomën e varrimit, paradhomën dhe një shkallare monumentale. Në muret e shkallares ruhen ende fragmente dekorimi në stuko me motive gjeometrike.

Nga grupi i punimeve në terren thuhet se materiali ndërtimor përbëhet kryesisht nga gurë të përmasave të mëdha, të punuara në trajtë kornizash, të cilat janë marrë nga gurore larg lokalitetit në fjalë.

Nikolli thotë se varri është dëmtuar në disa pjesë, jo vetëm nga grabitësit e lashtësisë, por edhe nga gërmimet ilegale moderne. Banorë të zonës tregojnë se gjatë periudhës së komunizmit, fusha e Gurrës është niveluar me mjete të rënda për bujqësi, duke shkatërruar pa e ditur, pjesë të trashëgimisë nëntokësore.

Megjithatë, shumë elementë kanë mbijetuar.

Përveç tekstilit me fije ari, janë gjetur enë, krehëra kocke dhe objekte të tjera. Më e veçanta është mbishkrimi bilingual romak, ku përmendet jo vetëm i ndjeri Gelliano, por edhe perëndia Jupiter. “Është hera e parë që në Dibër zbulohet një mbishkrim i tillë. Ky detaj e lidh varrin jo vetëm me jetën e përtejme, por edhe me kultin e pushtetit,” thotë Nikolli.

Në afërsi të varrit monumental, mbi një bllok guri është zbuluar edhe një tjetër mbishkrim funerar, i cili pritet te analizohet më tej për shkak të gjendjes së dëmtuar.

Pavarësisht se gërmimet ishin ende në fazat e para dhe monumenti nuk ishte publikisht i aksesueshëm, pas daljes së lajmit në media, interesi nga vizitorët dhe kureshtarët ishte i lartë. Disa makina u ndalën buzë rrugës dhe vizitorë nga zona përreth erdhën për të parë nga afër vendin e gërmimeve, duke e kthyer zbulimin në një atraksion që në ditët e para.

Nga Instituti i Arkeologjisë dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Tiranë kanë nisur procedurat për mbrojtjen shtetërore të këtij siti.

Bunguri thotë për BIRN se ky është vetëm fillimi i një projekti pesëvjeçar, që synon të shtrihet në një sipërfaqe shumë më të madhe.

“Ky është një projekt që do të vazhdojë për disa vite. Ky është viti i parë. Projektet tona vazhdojnë kryesisht 5 vite. Pastaj varësisht nga rezultatet, do të vendoset për vijimësinë nëse do të shkojë edhe më shumë. Masa e parë që kemi ne si drejtues për këtë zbulim, është marrja në mbrojtje shtetërore. Kjo shumë shpejt,” theksoi ai.

Një shpresë e re për zonën

Këto janë kërkime e para në rrafshin arkeologjik në Bulqizë, të thelluara dhe të strukturuara. Projekti përfshin sondazhe sistematike, dokumentim të hollësishëm dhe analiza të materialeve të gjetura.

Fshati Strikçan ka pasur një tkurrje të ndjeshme të popullsisë. Shumë banorë janë larguar drejt qyteteve më të mëdha ose jashtë vendit, duke kërkuar mundësi më të mira pune dhe kushte jetese. Qendra e fshatit nuk ndodhet shumë larg nga vendi ku po bëhen gërmime.

Disa nga banorët që janë aty dhe po bisedojnë me njëri-tjetërin, tregojnë për BIRN se e kishin ditur se zona kishte një rëndësi historike, por nuk e imagjinonin që zbulimi do të merrte një rëndësi kaq të madhe. Njëri prej tyre, tregon me ironi, se tani është bërë e rëndësishme se e ka nxjerrë në Facebook edhe Kryeministri.

“Imagjino, e ka nxjerrë edhe Edi Rama!” tha njëri prej banorëve.“Do ia shohim hajrin atij varri dhe do rilindim,” ia priti me ironi një tjetër.

Megjithatë, disa banorë e shohin zbulimin arkeologjik si një mundësi për fshatin e tyre, ndërsa të tjerë ua kanë vështirësuar punën arkeologëve nga frika e një shtetëzimi të mundshëm të pronave të pretenduara prej tyre.

Në punimet e terrenit u përfshinë edhe studentë të sapodiplomuar. Të vetmet vajza në grup janë Olta Idrizi dhe Klaudia Gjini.

“Ishte një fat i madh që pikërisht ne patëm mundësinë të nxjerrim në dritë një monument kaq të veçantë,” thotë Idrizi.

Profesori i historisë, Gazmir Sejdi, e sheh këtë zbulim si një mundësi për ta zhvendosur identitetin e qytetit përtej kromit.

“Është jetike që Bulqiza të ketë një muze të mirëfilltë ku të ekspozohen këto objekte. Nuk mjafton t’i zbulojmë dhe t’i dërgojmë në Peshkopi apo Tiranë. Trashëgimia duhet të mbetet këtu, aty ku u krijua, për t’i dhënë zonës zhvillim afatgjatë,” sugjeron ai.

Sejdi tregon për BIRN edhe potencialin e jashtëzakonshëm të trevës: nga kalatë e Krajkës, Valikardhës dhe Kojavecit, tek kishat e hershme, urat e vjetra dhe fragmentet e rrugëve antike.

“Çdo gërmim i ri do të na ndihmojë të rindërtojmë një pjesë të munguar të historisë sonë,” tha Sejdi.

Edhe për arkeologun Adem Bunguri, perspektiva e këtij zbulimi shkon përtej shkencës.

“Arkeologjia nuk është vetëm zbulim. Ajo duhet të kthehet në atraksion turistik, që të gjenerojë të ardhura për komunitetin,” tha Bunguri, ndërsa shtoi: “Bulqiza ka një shans të artë të mos njihet vetëm për minierat e kromit, por edhe për trashëgiminë arkeologjike unike”.

(Reporter)