Zbulohen e sekuestrohen mallra kontrabandë afër brezit kufitar Kosovë-Serbi

Prishtinë, 12 shtator 2023 – Policia e Kosovës njoftoi se më 11 shtator, në dy raste të veçanta, ka zbuluar dhe sekuestruar mallra kontrabandë në afërsi të brezit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit, rasti i parë ka ndodhur në brezin kufitar Serbi-Kosovë në rajonin e Kamenicës, ku është ndaluar një automjet me targa të Kosovës, i cili është parë duke hyrë ilegalisht në Kosovë.

Gjatë kontrollit të automjetit të shtetasi të Kosovës, R.M., janë zbuluar mallra që dyshohet të jenë kontrabandë.

Ndërkaq, rasti i dytë ka ndodhur në rrugën Stublinë-Dobërqan në rajonin e Gjilanit, ku Policia ka tentuar të ndalojë një automjet me targa serbe, të cilin po e ngiste F.M, shtetas i Serbisë.

“Në përpjekje për t’iu shmangur kontrollit të njësitit Task Forcë dhe duke mos iu bindur urdhrave të Policisë, përveç që ka rrezikuar zyrtarët policorë, i njëjti gjatë vozitjes ka humbur kontrollin mbi automjetin, duke dalë nga rruga”, thuhet në njoftim.

Policia bëri të ditur se në këtë automjet ka gjetur pajisje të ndryshme të kontrabanduara, me vlerë rreth 20.000 euro.

Autoritetet e Kosovës kanë zbuluar shpesh mallra kontrabanduara në brezin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë. Kontrabandistët kanë përdodur rrugët alternative në brezin kufitar. Shumë prej këtyre rrugëve janë mbyllur, për të pamundësuar bartjen e mallrave të kontrabanduara me mjete motorike.

(r.m.)