Zelensky kërkon nga Izraeli sistemin mbrojtës “Kupola e Hekurta”

Kiev, 24 tetor 2022 – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka përsëritur kërkesën drejtuar Izraelit për pajisje për mbrojtje raketore, “Kupola e Hekurt”.

“Ushtria ukrainase është duke mposhtur rusët në fushëbetejë, mirëpo fatkeqësisht, ne nuk kemi Kupolat tona të Hekurta. Ne ende nuk kemi një sistem raketor efektiv e modern që do të siguronte hapësirën tonë ajrore”, ka thënë Zelensky në një konference të organizuar nga e përditshmja izraelite “Haaretz”. Zelensky.

Prej shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë, Izraeli ka ofruar ndihmë humanitare për Ukrainën, mirëpo jo edhe pajisje ushtarake, meqë shqetësohet se mund të dëmtojë lidhjet me Rusinë.

Zelensky ka thënë se Rusia është duke furnizuar me armë nga shtetet aleate dhe e ka përmendur specifikisht Iranin. Ai ka thënë se beson që Rusia mund të jetë duke i paguar dronët iranianë me ndihmë për programin bërthamor të Iranit.

“Kam një pyetje për ju: Si e paguan Rusia Iranin, sipas mendimit tuaj? A është Irani i interesuar për para? Me siguri që jo, por për ndihmën ruse për programin bërthamor të Iranit”, ka thënë ai, citon Radio Evropa e Lirë.

Zelensky ka thënë gjithashtu se iranianët janë duke i trajnuar rusët si t’i përdorin dronët.

Moska dhe Teherani kanë hedhur poshtë zërat për marrëveshje për armët, mirëpo ka të dhëna se qindra dronë që Rusia i ka përdorur për sulme në Ukrainë janë të prodhuar apo dizajnuar nga Irani.

(r.m.)