Zelensky: Mbështetja e Orbanit për Rusinë është gabim historik

Kiev, 10 qershor 2025 – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka përshkruar si “gabim historik” politikat dhe mesazhet e kryeministrit populist hungarez, Viktor Orban, kundër Ukrainës.

Në një intervistë për median hungareze Valasz Online, të publikuar të martën, Zelensky e ka akuzuar Orbanin se propagandën kundër Ukrainës po përdor me qëllim që të përfitojë në politikën e brendshme.

“Ai [Orbani] po e përdor Ukrainën për qëllimet e tij elektorale”, ka thënë Zelensky.

“Ai nuk e kupton se kjo do të ketë pasoja shumë serioze dhe të rrezikshme. Duke mos na ndihmuar ne, ai po i bën një favor [presidentit rus, Vladimir] Putin. Prandaj unë them se Viktori është duke bërë një gabim serioz dhe historik”, ka shtuar ai.

Qeveria e Orbanit prej disa javësh po zhvillon një fushatë kundër ndihmës për Ukrainën dhe po kundërshton anëtarësimin e Kievit në Bashkimin Evropian. Mesazhi kryesor i fushatës është se ndihma për Ukrainën do ta tërhiqte Hungarinë në luftë dhe do të dëmtonte ekonominë e shtetit.

Në disa pankarta është vendosur edhe portreti i Zelenskyt.

“Si mund ta përdorë ai fytyrën time për zgjedhjet e tij? Unë nuk i kam dhënë leje për një gjë të tillë”, ka thënë Zelensky.

Presidenti ukrainas ka kujtuar se, në maj të këtij viti, Shërbimi ukrainas i Sigurisë (SBU) i ka arrestuar dy hungarezë shtetas të Ukrainës, të dyshuar për spiunim për shërbimin e inteligjencës ushtarake të Hungarisë, KNBSZ. Ai ka thënë se atyre u janë gjetur edhe prova të reja, të cilat nuk janë bërë publike.

Si kundërpërgjigje, Hungaria e ka arrestuar një person që dyshohet se punonte për Ukrainën. Sipas Budapestit, ai ishte i afërt me udhëheqësin opozitar hungarez, Peter Magyar.

Zgjedhjet parlamentare në Hungari do të mbahen në fillim të vitit 2026. Sipas sondazheve, partia e re konservatore e Hungarisë, Tisza, është më e preferuar se sa partia e Orbanit., prandaj kryeministri aktual Viktor Orban, i cili është në pushtet nga viti 2010, është nën presion.

(r.m.)

Comment

*