Beograd, 8 gusht 2026 – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar në Beograd se qëndrimi i shtetit të tij për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovëss nuk ka ndryshuar. Ai ka thënë se e respekton integritetin territorial të Serbisë.
“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë. Ne e respektojmë të drejtën ndërkombëtare. Ky është qëndrimi ynë. Sa i përket asaj që thatë për shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, qëndrimi mbetet i pandryshuar. Gjithmonë e kemi theksuar këtë dhe se politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar”, ka thënë Zelensky në konferencën e përbashkët për medie me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke u përgjigjur në pyetjen e një gazetarje serbe.
“Nuk do të ndryshojmë qëndrimin tonë në çështjen e Serbisë”, ka shtuar ai.
Njëkohësisht, Zelensky e ka falënderuar Serbinë për respektimin e integritetit dhe sovranitetit territorial të Ukrainës.
“I jemi mirënjohës Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë”, ka thënë ai.
Edhe Vuçiqi e ka falënderuar Ukrainën që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
“… I jemi shumë mirënjohës Ukrainës që e mbështesin integritetin territorial të Serbisë. Ne do të vazhdojmë të ndjekim një politikë parimore. Nuk ka vend për asnjë “por” në këtë çështje”, ka thënë Vuçiq.
Serbia ka deklaruar se e njeh sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, por nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë pas agresionit në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, përkundër presioneve të Brukselit e Uashingtonit.
Ndërsa Kosova e ka dënuar fuqishëm agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Rusisë, pavarësisht se Kievi nuk e njeh pavarësinë e saj. Kosova i ka strehuar disa gazetarë ukrainas që janë larguar nga Ukraina për shkak të luftës atje. Atyre u ka ofruar ndihmë për vazhdimin e punës së tyre profesionale nga Kosova.
Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko e ka vlerësuar mbështetjen e Kosovës dhe ka bërë thirrje që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Ukraina duhet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, sepse ju luftuat për këtë. Do të gjithçka që mundem të ndihmoj për këtë”, ka thënë Goncharenko në një fjalim që ka mbajtur në Kuvendin e Kosovës. Në gusht të vitit 2022, ai e ka dorëzuar në Parlamentin e Ukrainës një projekt-rezolutë në të cilën kërkohej njohja e pavarësisë së Kosovës.
(r.m.)