Zelensky: Rusia po tenton të na zhdukë nga faqja e dheut

Kiev, 10 tetor 2022 – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se në sulmet raketore ruse në Kiev e disa qytete të tjera të ukraunës që ukryen të hënën në mëngjes ka shumë civilë të vrarë dhe të plagosur.

“Ata po tentojnë të na shkatërrojnë dhe të na zhdukin nga faqja e dheut… duke shkatërruar njerëzit tanë që po flenë në shtëpitë e tyre në [qytetin e] Zaporizhjës. Po vrasin qytetarë në Dnipro dhe Kiev”, tha Zelensky në Telegram.

“Sirenat e sulmeve ajrore nuk po ndalen në mbarë Ukrainën. Ka sulme me raketa. Fatkeqësisht, ka të vdekur dhe të plagosur”, tha Zelensky.

Kreu i ushtrisë ukrainase tha se forcat ruse kanë lëshuar të paktën 75 raketa në mëngjesin e së hënës në Kiev dhe në qytetet në jug dhe në perëndim të vendit.

“Shteti terrorist, Rusia, ka kryer sulme masive ajrore në territorin e Ukrainës dhe po ashtu ka kryer sulme me dronë. Në mëngjes, agresori ka lëshuar 75 raketa. Dyzetenjë prej tyre janë rrëzuar nga mbrojtja jonë ajrore”, tha gjenerali Valeriy Zaluzhny, në një postim në rrjetet sociale.

Kryeqyteti ukrainas u godit nga një valë shpërthimesh, teksa shërbimet e emergjencës thanë se një numër njerëzish janë vrarë dhe plagosur.

Autoritetet thanë se sulmet në Kiev kanë lënë të vrarë të paktën pesë persona dhe 12 të plagosur.

“Deri në këtë fazë, është konfirmuar vdekja e pesë personave dhe 12 janë plagosur”, tha këshilltari i Ministrisë së Brendshme, Anton Gerashchenko.

Mediat ukrainase po ashtu kanë raportuar për shpërthime edhe në Dnipro, Lviv dhe Ternopil.

Kryetari i Kievit, Vitaliy Klitschko, tha se raketat goditën “infrastrukturën kritike” të kryeqytetit.

“Disa shpërthime në qarkun Shevçenskivski – në qendër të kryeqytetit”, shkroi në Telegram kryetari i Kievit, Vitali Klitscho.

Shpërthimet duket se kanë shënjestruar më shumë pjesë qendrore të Kievit krahasuar me sulmet ruse më herët gjatë luftës. Kryeqyteti ukrainas nuk kishte qenë cak i sulmeve për muaj të tërë.

Shpërthimet në Kiev janë dëgjuar rreth orës 08:15, sipas kohës lokale, thanë gazetarët dhe dëshmitarët.

Ligjvënësja ukrainase, Lesia Vasylenko, ka postuar fotografi në Twitter që tregon pamjen pas njërit prej shpërthimeve që goditën ndërtesën kryesore të Universitetit Shtetëror të Kievit, që gjendet në qendër të qytetit.

Guvernatori i rajonit perëndimor ukrainas të Lvivit, tha se ka pasur bombardime ndaj infrastrukturës kritike, sikurse ndërtesat e energjisë.

Ministria e Jashtme e Moldavisë thirri ambasadorin rus që të japë shpjegime, pasi tha se tri raketa ruse kaluan përmes hapësirës së saj ajrore.

“Tri raketa të lëshuara nga Rusia drejt Ukrainës mëngjesin e sotëm, u lëshuan nga anijet ruse në Detin e Zi. Ato kaluan përmes hapësirës ajrore të Moldavisë”, shkroi në Twitter ministri i Jashtëm i Moldavisë, Nicu Popescu.

Sulmet raketore ruse të së hënës duket se janë hakmarrje për shpërthimin e së shtunës në urën që lidh Rusinë me Gadishullin ukrainas të Krimesë së okupuar nga Rusia. Moska fajësoi Kievin për këtë shpërthim që e dëmtoi një pjesë të urës.

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës tha se do të hakmerret për këto sulme.

“Armiku do të ndëshkohet për dhimbjen dhe vdekjen që ka sjellë në tokën tonë. Ne do të hakmerremi”, tha kjo ministri përmes një postimi në Facebook.

Ministria e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, në përditësimin e saj për luftën në Ukrainë, tha se “forcat ukrainase po vazhdojnë të bëjnë presion ndaj forcave ruse si në verilindje, por edhe në jug, në Herson”.

Megjithatë, inteligjenca britanike tha se Moska po vazhdon të prioritizojë operacionet e saj në lindje të Ukrainës, kryesisht përreth Bahmutit, në rajonin e Donjeckut, ku forcat ruse po vazhdojnë tentimin e tyre për të depërtuar në qytetin që ka pësuar dëme të mëdha nga bombardimet.

Rusia po vazhdon të pësojë humbje, pasi Moska muajin e kaluar njoftoi se për aneksimin e paligjshëm të rajoneve ukrainase të Hersonit, Zaporizhjës, Donjeckut dhe Luhanskut – rajone të pushtuara pjesërisht nga forcat ruse.

(Sipas REL)