Zelensky viziton vijat e frontit në Harkiv

Kiev, 29 maj 2022 – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka vizituar Harkivin, ku është takuar me trupat që po mbrojnë këtë qytet kyç në verilindje të Ukrainës.

Kjo është vizita e parë e Zelenskyt jashtë kryeqytetit ukrainas, Keivit, qëkur forcat ruse nisën pushtimin e shtetit të tij, më 24 shkurt.

Zyra e Presidentit të Ukrainës raportoi më 29 maj se Zelensky është takuar me ushtarët në pozicionet e tyre në vijat e frontit dhe ka zhvilluar një takim me zyrtarët lokalë, përfshirë kryetarin e Harkivit, Ihor Terekhov, administratorin rajonal, Oleh Synegubov, dhe anëtarë të shtabeve dhe komandantë ushtarakë.

“Ju po rrezikoni jetën e juaj për të gjithë ne dhe për shtetin tonë”, citohet t’u ketë thënë Zelensky ushtarëve nga REL.

Vizita e Zelenskyt në Harkiv realizohet në kohën që Shërbimi shtetëror i Emergjencave të Ukrainës tha se granatimet ruse kanë shkaktuar zjarre përreth Harkivit, qytetit të dytë më të madh të Ukrainas.

Rusia ka vazhduar ta bombardojë Harkivin pasi trupat ukrainase i zmbrapsën ato ruse nga pozicionet pranë qytetit, disa javë pas nisjes së pushtimit.

Presidenca ukrainase njoftoi se Synegubov i ka thënë Zelenskyt se forcat ukrainase kanë bërë përparim në kundërsulmet e tyre ndaj ofensivës së fundit të forcave ruse.

“Por, ne nuk jemi në gjendje që të inspektojmë plotësisht disa prej vendbanimeve të çliruara, pasi granatimet po vazhdojnë. Po ashtu nuk jemi në gjendje të kryejmë inspektime të detajuara dhe të nisim riparimin e infrastrukturës kritike”, citohet të ketë thënë administratori rajonal, Synegubov.

Ai ka thënë se forcat ruse i kanë dëmtuar 2,229 ndërtesa të larta në këtë rajon, 225 prej të cilave janë shkatërruar plotësisht. Ai ka thënë gjithashtu tha se më së shumti dëme janë shkaktuar në qarqet veriore dhe lindore të Harkivit, ku janë shkatërruar mbi 30 për qind të ndërtesave.

(r.m.)