Zelenskyy ligjvënësve amerikanë: Ne kemi nevojë për ju, tani! Mbyllni hapësirën ajrore mbi Ukrainë!

Uashington, 16 mars 2022 – Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy bëri sot (e mërkurë) thirrje për më shumë ndihma për vendin e tij dhe përsëriti kërkesën për ndalimin e fluturimit të aeroplanëve luftaralë në hapësirën ajrore  të Ukrainës.

Në një fjalim on-line drejtuar Kongresit amerikan, Zelenskyy bëri thirrje për më shumë ndihmë.

Ai i kujtoi dy nga ngjarjet më të rënda me të cilat janë përballur Shtetet e Bashkuara: sulmet ajrore në Pearl Harbor, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, për t’i bërë jehonë kërkesës së tij kryesore drejtuar Uashingtonit, asaj për mbylljen e hapësirës ajrore të Ukrainës.

“Ne kemi nevojë për ju tani! Kujtoni Pearl Harbor, mëngjesin e tmerrshëm të dhjetorit 1941, kur qielli juaj u bë i zi nga avionët që ju sulmonin. Kujtoni shtatorin 2001, kur e keqja u përpoq t’i kthejë qytetet tuaja në fushëbeteje. Kur njerëz të pafajshëm u sulmuan nga ajri. Rusia e ka kthyer qiellin e Ukrainës në burim vdekjeje për mijëra njerëz. Ky është një terror që Europa nuk e ka parë prej 80 vitesh dhe ne u kërkojmë për të një përgjigje nga e gjithë bota. A është shumë që të kërkojmë një zonë ndalim fluturimi mbi Ukrainë për të shpëtuar jetë njerëzish?! Diçka që do të bënte të mundur që Rusia të mos kishte më mundësi të terrorizonte qytete. Nesë kjo është shumë, ne ofrojmë një alternativë. Ne kërkojmë avionë luftarakë që mund të ndihmojnë Ukrainën dhe Europën. Kemi nevojë për të mbrojtur qiejt tanë dhe për këtë kam nevojë për ndihmën e një vendim tuajin”, tha ai.

Por, Shtetet e Bashkuara e kanë hedhur poshtë këtë kërkesë të Kievit. Uashingtoni thotë se përcaktimi i një zone të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, do të mund të bëhej shkak për një luftë më të gjerë në Europë.

Për sa i takon avionëve luftarakë, Shtetet e Bashkuara mendojnë se sot Ukrainës i nevojiten më shumë armatime të vogla, si armë antitank dhe kundërajrore, për t’u përballur me agresionin rus.

Zoti Zelensky i falënderoi Shtetet e Bashkuara për ndihmën e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Ukrainës gjatë kësaj periudhe të vështirë. Por, ai bëri thirrje për sanksione edhe më të ashpra ndaj Rusisë.

“Ju bëj thirrje për të bërë më shumë. Nevojiten sanksione të reja derisa makina ushtarake ruse të ndalet. Duhen kufizime ndaj të gjithë atyre ku bazohet ky regjim. Ne propozojmë që Shtetet e Bashkuara të vendosin sanksione ndaj të gjithë atyre politikanëve ruse në detyrë dhe ndaj atyre që nuk kanë ndërprerë lidhjet me ata që janë përgjegjës për agresionin ndaj Ukrainës, nga anëtarët e Dumës ruse, tek zyrtari më i fundit që ka mungesë morali për të ndalur këtë terror shtetëror. Të gjitha kompanitë amerikane duhet të largohen nga Rusia”, tha ai.

Presidenti Zelenskyy tha se nga fillimi i agresionit, më 24 shkurt, trupat ruse kanë lëshuar 1 mijë raketa ndaj Ukrainës.

Pak përpara se të mbyllte fjalimin e tij, zoti Zelenskyy i ftoi ligjvënësit amerikanë të shikonin disa pamje filmike të asaj që ai e quajti “sulm jo vetëm ndaj Ukrainës e vlerave të këtij vendi, por edhe Evropës”. Pamjet pasqyronin përmasat e tragjedisë njerëzore dhe të shkatërrimit të Ukrainës.

Pjesën dërrmuese të fjalimit zoti Zelenskyy e mbajti në gjuhën ukrainase, ndërsa Presidentit amerikan, Joe Biden, iu drejtua me një mesazh në gjuhën angleze.

“President Biden, ju jeni udhëheqësi i një vendi të madh, por ju kërkoj të bëheni udhëheqësi i botës. Dhe të jesh udhëheqës i botës do të thotë të jesh udhëheqësi i paqes… Lavdi Ukrainës!”

Fjalimi i Presidentit Zelenskyy u përshëndet me duartrokitje të gjata të  ligjvënësve amerikanë.

Të mërkurën Uashingtoni njoftoi për një ndihmë të re në armatime për Ukrainën prej rreth 800 milionë dollarësh. Presidenti Biden do ta njoftojë atë gjatë një fjalimi në Kongres, që do ta çonte në 1 miliard dollar totalin e ndihmës për Ukrainën vetëm në javën e fundit.

Javën që vjen Presidenti Joe Biden do të udhëtojë drejt Evropës për të biseduar me udhëheqësit evropianë rreth sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Më 24 mars, në Bruksel, ai pritet të bisedojë me udhëheqësit e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.

Presidenti Biden do të ndjekë edhe një takim të planifikuar të Komisionit Evropian, ku po bëhen përpjekje për të vendosur sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë dhe për ndihma humanitare për Ukrainën.

(Sipas  Zërit të Amerikës)