Uashington, 25 shkurt 2026 – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) njoftoi se zëvendësministri Kreshnik Ahmeti ka zhvilluar një takim në Departamentin e Shtetit me Zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, z.Daniel J. Lawton.
Në njoftim thuhet se z. Ahmeti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës, “duke theksuar rëndësinë e partneritetit ndërmjet dy vendeve”.
“Ai e vlerësoi kontributin e Millennium Challenge Corporation në zhvillimin ekonomik dhe forcimin e sektorëve strategjikë në Kosovë, si dhe falënderoi z. Lawton për miratimin e National Defense Authorization Act, i cili konfirmon mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
“Në fokus të diskutimit ishte thellimi i mëtejmë i bashkëpunimit në fushën e energjisë, ekonomisë dhe industrisë së mbrojtjes”, thuhet më tutje në njoftim.
MPJD bëri të ditur se në takim është diskutuar edhe “për dialogun me qytetarët serbë të Kosovës, me theks në rëndësinë e përfshirjes, integrimit dhe forcimit të besimit ndërmjet komuniteteve, si parakusht për stabilitet afatgjatë dhe zhvillim demokratik”.

Gjatë qëndrimit në Uashington, zëvendësministri Ahmeti ka zhvilluar takime të ndara edhe me Senatorin Gary Peters dhe Kongresistin Ritchie Torres.
MPJD njoftoi se në këto takime është diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fusha me interes të përbashkët. Zëvendësministri Ahmeti ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për njohjen e shtetit të Kosovës dhe pranimin e saj në NATO dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
(r.m.)