Zëvendëssekretari Landau dhe Presidentja Osmani diskutuan për bashkëpunimin ekonomik Kosovë – SHBA

Uashington, 11 korrik 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar të enjten në Uashington me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau.

Nikoqiri i Presidentes Osmani, zëvendëssekretari Landau, ka thënë se në takim kanë diskutuar për fushat e mundshme të bashkëpunimit ekonomik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të ardhmen.

Landau, në një postim në rrjetin social X, ka njoftuar se të dy kanë shprehur besimin se “prosperiteti dhe bashkëpunimi ekonomik do të ndihmojnë në largimin e Ballkanit Perëndimor nga përçarjet e së kaluarës dhe do të promovojnë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon”.

“Sot, në takimin tim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, diskutuam për fushat e mundshme të bashkëpunimit ekonomik në të ardhmen dhe shprehëm besimin se prosperiteti dhe bashkëpunimi ekonomik do të ndihmojnë në largimin e Ballkanit Perëndimor nga përçarjet e së kaluarës dhe do të promovojnë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon. 🇺🇸🤝🇽🇰”, ka shkruar Landau.

Presidentja Osmani, në një postim në Facebook, ka thënë se Kosova është e përkushtuar për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit strategjik me Shtetet e Bashkuara, “në përputhje me vizionin e fortë të Presidentit Trump”.

“Faleminderit për mikpritjen e ngrohtë dhe diskutimin e hapur në Washington D.C., Zv. Sekretar i Shtetit, Christopher Landau! 🇽🇰🇺🇸

Kosova qëndron krah për krah me Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar kapituj të rinj të bashkëpunimit strategjik, në përputhje me vizionin e fortë të Presidentit Trump.

Më shumë siguri.

Më shumë zhvillim.

Më shumë mundësi për qytetarët tanë dhe bizneset tona”, ka shkruar ajo.

Presidentja Osmani është takuar të enjten në Uashington edhe me Senatorin Andy Kim.

“Kosova është e bekuar me mbështetjen e fuqishme dhe të palëkundur të Kongresit Amerikan! 🇽🇰🇺🇸

Në Washington D.C., kisha kënaqësinë ta takoj Senatorin Andy Kim, për të diskutuar forcimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Amerikës në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët, përfshirë sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe inovacionin!” ka shkruar ajo në rrjetet sociale.

Të mërkurën, më 9 korrik, Osmani ishte takuar me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan. Përmes një postimi në Facebook, ajo ka bërë të ditur se me diplomatin Hanrahan kanë diskutuar për “thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”.

“Kosova është e gatshme ta avancojë bashkëpunimin me SHBA-të në fusha kyç si mbrojtja, ekonomia, si dhe investimet strategjike me interes të ndërsjellë”, ka shkruar ajo

Gjatë qëndrimit në Uashington, Presidentja Osmani ka mbajtur edhe një ligjëratë në universitetin “Johns Hopkins”, kua ka thënë se ka informacione të besueshme se Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka parandaluar mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë javët e fundit.

“Ai (Trump) është shumë i qartë në deklaratën e tij se po flet për javët e fundit”, ka thënë presidentja Osmani.

Ajo ka theksuar se nuk bëhet fjalë për situatat e mëparshme, por për “zhvillime shumë, shumë të vona”.

“Ndaj, nuk duhet ta mohojmë mundësinë, sepse ka ndodhur më parë”, ka thënë Osmani, duke iu referuar sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit më 2023, kur një grup serbësh patën sulmuar Policinë e Kosovës.

Presidentja Osmani ka theksuar se rreziqet nga Serbia janë të vazhdueshme dhe se ato nuk duhen nënvlerësuar.

Ajo ka thënë se presidenti Trump, deri tani, ka bërë gjithçka që është në fuqinë e tij për të siguruar ruajtjen e paqes në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, Osmani ka thënë se administrata e presidentit Trump ka ide të reja për t’i forcuar më tej ato.

“Ne duam të ulemi me partnerët në këtë administratë për t’u shpjeguar se si Kosova ka këtë potencial. Kjo, natyrisht, është në interes të popullit tonë, në interes të vendit tonë dhe në interes të rajonit tonë. Por, në të njëjtën kohë, kjo përputhet me prioritetet e administratës Trump për ta bërë Amerikën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë”, është shprehur ajo/

(r.m.)