(Botuar nga “Illyria” në New York dhe “Panorama” në Tiranë – 1 nëntor 2010)
Një aspekt interesant i identiteve kulturore të partive kryesore politike amerikane
Nga Ruben Avxhiu

Fushata zgjedhore e këtij viti në SHBA ka nënvizuar edhe më tej një lloj identifikimi kulturor që po bëhet karakteristik i aktivistëve publikë të dy partive të mëdha amerikane.
Duket se gjithshka ka filluar me duelin presidencial të vitit 2000, në të cilin George W Bush, një guvernator i Texas-it, me çizme kauboj dhe një aftësi për t’i thënë gabim “fjalët e vështira” u përball me zëvendës-presidentin Al Gore, një lexues i apasionuar i shkencës, orator dhe me një kujtesë të fortë për statistika të ndërlikuara e shembuj nga teknollogjia.
Për Demokratët zgjedhja ishte e qartë. Një “budalla i pagdhëndur” po konkurronte kundër një “diplomuari nga Universiteti i Harvardit”. (Në fakt Bushi ishte diplomuar në Yale University, një tjetër shkollë e famshme amerikane, por me nota të ulëta në mësime.)
Mirëpo, realiteti foli ndryshe. Ndonëse Republikanët fituan me një rezultat të ngushtë e të dyshimtë që kërkoi një vendim gjykate, çudia ishte që amerikanët nuk kishin votuar masivisht për atë që dukej i shkolluar e i përgatitur, por ishin tërhequr nga ky “katundari belbëzues”.
Suksesi i Bushit mbështetej në fakt në dy tema të politikës amerikane. Njëra e vjetër: “mos u beso kokëvezëve” (njerëzve që bëjnë filozofime në vend që të kërkojnë zgjidhje praktike) dhe tjetra e re “njerëzit në Washington nuk pyesin për ne” (një lloj revolte provinciale që po gjallon në mbarë Amerikën dhe që sheh me dyshim të madh, kryeqytetin e politikës amerikane, qytetet e mëdha si New York-u e Los Angeles si dhe qendrat e mëdha universitare si Harvardi.)
Një masë e madhe e amerikanëve dyshojnë se elita politike në Washington, politikanë të përjetshëm, lobistë, avokatë e aktivistë për shumë vite tashmë jetojnë të izoluar nga jeta e tyre e përditshme dhe nuk duan të dinë se çfarë mendojnë ata. Kjo masë votuese vjen kryesisht nga jugu dhe qendra e kontinentit dhe është shpesh shumë patriotike, fetare dhe beson në administrimin e punëve lokale pa ndërhyrjen dhe imponimin e qeverisë.
Këta njerëz sigurisht që preferonin bisedën “gju më gju” me Bushin, fjalët e tij të thjeshta dhe shembujt e tij nga jeta praktike. Në sytë e tyre Al Gore ishte një pedant prepotent i armatosur me një tufë statistikash që askush nuk mund t’i vërtetonte. Humori i preferuar republikan i kohës ishte që “Al Gore kishte shpikur internetin”.
Ndërsa Republikanët filluan ta identifikojnë veten si njerëz të popullit, Demokratët filluan gjithnjë e më shumë të bëjnë të kundërtën. Tallja me gafat e kundërshtarëve politikë, me mungesën e njohurive etj u bënë diçka e përditshme. Retorika kapërceu kufijtë e Amerikës ku u bë e zakonshme që në demonstratat anti-amerikane presidenti Bush të trajtohej si një i metë.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2004 prirja vetëm sa u thellua. Kandidati demokrat John Kerry nuk e fshehu superioritetin e tij intelektual ndaj Presidentit Bush, mirëpo ndërsa dita e zgjedhjeve afrohej, anketimet dëshmonin se fitorja e Republikanëve ishte e sigurtë.
Të alarmuar, Demokratët e vunë John Kerry-n të filmohej “duke pirë nga një birrë me shokët ndërsa shihte një ndeshje futbolli” apo “duke dalë për gjueti me armë në dorë” siç është zakoni i burrave në disa province amerikane. Mirëpo këto përpjekje artificiale pak ditë përpara zgjedhjeve vetëm sa e bënë më qesharak figurën e tij. Bush fitoi zgjedhjet dhe në vitin 2006, Republikanët morën në dorë të dy dhomat e Kongresit, duke siguruar pushtet të plotë në Washington.
Në një analizë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2008, kam shkruar se ndoshta çudia më e madhe nuk ishte fitorja e një kandidati me ngjyrë, por ajo e një të diplomuari nga Harvardi, që jetonte në veri dhe që nuk e fshihte elitarizmin e tij. Barack Obama është një nga politikanët më të artikuluar që kanë pasur amerikanët në historinë e tyre.
Edhe Obama kaloi një moment të vështirë në të cilin fushata e tij e nxori duke pirë birrë në një klub. Ishte koha kur beteja e tij me Hillary Clinton cilësohej si beteja e Demokratëve që pijnë birrë kundër atyre që pijnë verë. Të tallur si “socialistë me limuzina” milionerët që mbështesin Partinë Demokratike përdoren jo rrallë nga propaganda republikane.
Fushata e tij finale kundër John McCain ishte një ripërsëritje e skenarit, me talljet që drejtoheshin kryesisht ndaj zëvendëses së senatorit McCain, politikanes nga Alaska, Sarah Palin, e cila veç të tjerash kishte thënë se kujtonte që Afrika ishte një shtet. Një humorist nga Kanadaja madje i telefonoi dhe foli gjysëm ore me të duke u hequr sikur ishte presidenti francez Nikolas Sarkozi.
Por fitorja e bujshme e Obama-s nuk e ka kthyer përgjithmonë peshoren. Fushata e këtij viti ka rikthyer betejën mes “budallenjve” republikanë dhe “snobëve” demokratë. Kushdo që i ndjek emisionet e përnatshme televizive të humoristëve amerikanë mund të shijojë një paradë talljesh e kukurisjesh me qyfyret nga gafat e Republikanëve. Gabimet drejtshkrimore në tabelat e mitingjeve të tyre politike, veshjet provinciale, përzgjedhja e tipave pa dhëmbë, apo e pleqve që “u ka mbetur ora në luftën e dytë botërore” janë pjesë e repertorit zbavitës.
Mirëpo, anketimet po tregojnë se me miliona e miliona njerëz që kanë humbur vendet e punës, që kanë humbur shtëpitë se nuk u kanë paguar dot bankave përqindjet e kredive, që druhen se reforma shëndetësore do të pakësojë mjekët dhe do të mbipopullojë spitalet etj shumica e votuesve nuk ndihet aspak e zbavitur dhe nuk sheh ndonjë gjë për të qeshur.
Partia Republikane po merret në dorë nga një mori lëvizjesh aktiviste të njohura si Partitë e Çajit, të cilat mendojnë se Washington-i është tallur mjaft me ta, sidomos kur nga paratë e taksapaguesve u shpëtuan nga falimentimi pikërisht bankat që po u marrin shtëpitë njerëzve të thjeshtë të cilët askush nuk i shpëton nga fatkeqësitë financiare.
Ata thonë se u ka ardhur në majë të hunës nga “snobët” e universiteteve dhe “kllounët” e televizoneve dhe se amerikanët e vërtetë janë ata.
Anketimet tregojnë se fitorja republikane është e pashmangshme. Analistët po u kujtojnë demokratëve se tallja me opozitën po sjell përsëri efektin e kundërt. Disa madje kanë thënë se Demokratët duhet të gjejnë një Bill Clinton të ri, djaloshi jetim nga një fshat i Jugut, që ndonëse mbaroi disa nga shkollat më të mira amerikane dhe ishte bekuar me një intelekt të fortë, ruajti të folurën e thjeshtë dhe popullore duke fituar mendjet dhe zemrat e amerikanëve në tre nga katër zgjedhjet që viteve 90. Deri atëhere Republikanët do të kenë të qeshurën e fundit, atë më të mirën që bëhet kur mbaron numërimi në kutitë e votimit.