Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 28 dhjetor

Prishtinë, 20 nëntor 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka vendosur që zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamntare në vend të mbahen më 28 dhjetor. Ajo e mori këtë vendim pasi e shpërndau Kuvendin, i cili nuk arriti të zgjidhte qeverinë e re pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe pas takimit me përfaqësuesit e partive politike,

Gjatë një konference për media, Osmani tha se tetë parti ishin për mbajtjen e zgjedhjeve në atë datë, ndërsa pesë për 21 dhjetorin, dhe se tri parti thanë se cilado datë do të ishte në rregull për to.

“21 dhe 28 dhjetor janë datat që mund të bëhen sipas Kushtetutës. Tetë parti janë deklaruara për datën 28, pesë parti për datën 21 dhe 3 parti për cilën do datë. Data 28 dhjetor kam vlerësuar që mbetet data e vetme e mundshme, edhe pse kjo datë do të ketë edhe sfida për KQZ-në”, tha ajo.

Presidentja Osmani shpjegoi arsyet shtesë që e kanë shtyrë të përcaktohet për datën 28 dhjetor.

“Zgjedhjet lokale nuk kanë përfunduar akoma sa i përket procedurës së certifikimit. Para fillimit të fushatës janë një sërë veprimesh, që janë regjistrimi i subjekteve dhe koalicioneve, certifikimi i kandidatëve, hedhja e shortit e veprime të tjera. Për më tepër, duhen së paku dy javë kohë për të mundësuar votimin jashtë vendit dhe sipas ligjit, shtetasve që jetojnë jashtë vendit duhet dhënë së paku 15 ditë afat me qëllim të aplikimit dhe regjistrimit për të votuar”, tha Osmani.

“Në mesin e këtyre janë edhe procedura tenderuese e çka jo tjetër. Pra, të gjitha këto e bëjnë praktikisht të pamundshme edhe datën 21 dhjetor, rrjedhimisht data 28 dhjetor është data që kam vlerësuar se mbetet data e vetme e mundshme, sado që edhe kjo datë paraqet deri diku sfida për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, shtoi ajo.

Osmani tha se si presidente e Kosovës e ka për detyrë “të japë afatin më të gjatë dhe jo më të shkurtër që të eliminojmë disa nga sfidat e organizimit të shpejtë të zgjedhjeve”.

Ajo ka thënë se para vendimit për shpërndarjen e Kuvendit ka bërë përpjekje për shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Para se ta nënshkruaj dekretin për shpërndarje kam bërë përpjekjen e fundit që partitë të kthehen në Kuvend që të miratohen zgjatjet buxhetore në mënyrë që as pagat e qytetarëve tanë e as funksionimi i shtetit të mos bllokohen dhe të kemi buxhet deri në mars. Së dyti ka qenë edhe pako presidenciale prej pesë marrëveshjesh ndërkombëtare në vlerë prej 1 miliardë euro dhe çështje të tjera të rëndësishme për të cilat kam shpresuar për vullnet politik”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se ka pasur bazë kushtetuese që Kuvendi të merrte vendime me interes vital, por nuk ka pasur vullnet politik për këtë.

“Ka ekzistuar baza kushtetuese e qartë që edhe pas dështimit të mandatarit të dytë të Kuvendit, Kuvendi të mblidhet dhe të marrë vendime. Kuvendi mund të jetë funksional derisa të nënshkruhet dekreti për shpërndarje. Në mungesë të vullnetit politik, nuk ka pasur zgjidhje tjetër  përveç që të nënshkruajë dekretin për shpërndarje. Është për keqardhje që nuk u arrit një dakordim i tillë, jo pse ishin marrëveshjet e dobëta por sepse mungonte vullneti”, ka shtuar ajo.

Osmani u pyet nëse “po i shërben Lëvizjes Vetëvendosjes” pasi zgjodhi 28 dhjetorin, datë e preferuar nga LVV-ja, për shkak se në këtë kohë mund të votojnë më shumë mërgimtarë që vijnë në Kosovë për festat e fundvitit.

Ajo e cilësoi këtë pyetje si “ofenduese” dhe theksoi se asnjë subjekt politik nuk është kundër pjesëmarrjes së mërgimtarëve në zgjedhje.

“Vendimin e kam marrë me vetëdije të plotë me besim të plotë. Të gjitha partitë janë shprehur se nuk janë kundër mërgatës. Pse po paragjykoni që mërgata është për një parti? E kam detyrim të zgjedh një datë ku kemi një pjesëmarrje më të madhe e jo më të vogël”, tha Osmani.

(r.m.)