Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të mbahen më 7 qershor

Prishtinë, 30 prill 2026 – Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka shpallur 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare. Këto do të jenë zgjedhjet e tretat brenda rreth një viti e gjysmë dhe pritet ta thellojnë krizën politike dhe institucionale.

Vendimi i Haxhiut të enjten vjen pak pas mbajtjes së një takimi me liderë dhe përfaqësues të partive politike në vend për caktimin e datës së zgjedhjeve.

“Pasi dëgjova propozimet e partive politike dhe pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të KQZ-së dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në këtë proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbahen më 7 qershor”, tha Haxhiu në një konferencë për media.

Më vonë, ajo e bëri publik edhe dekretin formal për mbajtjen e zgjedhjeve më 7 qershor.

Ajo tha se 15 nga 17 partitë e ftuara morën pjesë në takim për të zgjedhur mes dy datave të mundshme, 31 majit dhe 7 qershorit.

Një ditë më parë, Haxhiu e takoi kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, i cili tha se ky organ – i cili bën mbarëvajtjen dhe organizimin e zgjedhjeve – parapëlqen 7 qershorin si datë të zgjedhjeve.

Zgjedhjet e 7 qershorit do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajsh. Ato u shpallën pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin e ri të vendin brenda afatit kushtetues.

Përpjekjet disamujore për zgjedhjet e presidentit të ri dështuan në mungesë të lëshimeve nga paria në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, dhe dy partive më të mëdha opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që partitë politike nuk e gjetën asnjë figurë unifikuese për kandidat për president për t’i shmangur zgjedhjet e treta të njëpasnjëshme.

Brukseli u bëri thirrje partive politike të gjejnë gjuhë të përbashkët për t’i shmangur krizat institucionale në vend.

“Është urgjente për Kosovën që të forcojë dialogun ndërpartiak për të siguruar funksionimin efikas të institucioneve dhe për të mos humbur mundësi që u sjellin përfitime qytetarëve, përfshirë ato nga Plani i Rritjes”, tha një zëdhënës i BE-së për Radion Evropa e Lirë.

Ekspertët vlerësojnë se subjektet politike në Kosovë e kanë futur vendin në krizë institucionale.

(r.m.)

Comment

*